Artan Demiri nga Shkupi, themelues i grupit “Zjarrfikësit Vullnetarë”, ishte një ndër ata që ndihmoi në operacionin e kërkim-shpëtimit së bashku me anëtarët e tjerë të këtij grupi të formuar para dhjetë vitesh.
Demiri, i cili prej 23 vitesh merret me shitjen e automjeteve, vendosi të themelojë grupin para dhjetë vitesh me qëllimin për të ndihmuar njerëzit në gjendje të vështirë, e iniciativën e mbështetën edhe miqtë e tij.
Edhe pse në fillim në grup gjendeshin shumë pak njerëz, në periudhën që vijoi ai arriti deri në 380 anëtarë.
“Zjarrfikësit Vullnetarë” deri para një viti shkonin për të ndërhyrë në raste zjarresh, tërmetesh apo shembjesh me automjetet e tyre personale, por, të ballafaquar me vështirësi, ata vendosën të blejnë një kamion nga Zvicra për 18 mijë franga zvicerane, të cilin e shndërruan në makinë zjarrfikëse.
Brenda një viti të fundit, grupi ka ndërhyrë në pesë zjarre dhe një rast shembjeje. E së fundi pra, ata nuk ngurruan për të kontribuuar edhe në Shqipërinë e goditur nga tërmeti me magnitudë prej 6,3 ballësh.
Me automjetin e tyre në të cilin është shkruar “Zjarrfikësit Vullnetarë” në katër gjuhë të ndryshme, ata nxitojnë për t’u dalë në ndihmë njerëzve në gjendje të vështirë, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në vende të tjera.
Në një prononcim për AA, Demiri, i cili së bashku me katër shokët e tij vullnetarë ishte aktiv në operacionet e kërkim-shpëtimit në hotelin e rrënuar në qytetin e Durrësit, tha se kishin vendosur të shkonin në Shqipëri me të marrë lajmin për tërmetin.
Demiri theksoi se ndihmoi me spërkatje me ujë gjatë heqjes së rrënojave dhe shtoi se bashkëpunoi edhe me ekipet e Autoritetit Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), të cilët erdhën në Shqipëri pas tërmetit.
“AFAD erdhi nga Ankaraja për të ndihmuar. Ne punuam së bashku“, tha ai.
Duke folur për projektin e tij “Zjarrfikësit Vullnetarë”, Demiri u shpreh: “Këtë e bëmë për hir të Zotit”.