Sali Berisha dhe familja e tij janë të fundit të cilëve u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më herët, në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit janë futur edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe Tom Doshi, i cili dha dorëheqjen edhe nga kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit pas mesazheve të vazhdueshme të ambasadores Yuri Kim.
Hyrja në SHBA këtyre personave u është ndaluar me arsyetimin e kryerjes së veprimeve korruptive.
Në vendimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Sali Berishës theksohet se: “Veçanërisht në kohën kur ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë në vepra korrupsioni, si përvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshi edhe përdorimin e fuqisë së tij për përfitime vetjake dhe për pasurimin e aleatëve politikë dhe anëtarëve të familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar te qeveria, institucionet dhe zyrtarëve publikë. Për më tepër, retorika e tij vërteton se ai është i gatshëm të mbrojë veten dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe aleatët politikë, në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përjashtim, po konfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeverisëse dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.