Një fjalën e saj në Kongresin e PS, Elisa Spiropali, teksa theksoi se ‘forcat e kohës kërkojnë që PS të rilindë”, ministrja Elisa Spiropali u ndal edhe te reforma në drejtësi.
Ajo tha se “kush ka gabuar me dashje, duhet të paguajë”, duke shtuar se çdo eksponent politik betejën me drejtësinë e ka personale.
“Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë marramendëse dhe parimi i artë kushtetues i balancës së pushteteve ka nisur të funksionojë dhe të japë shenja të forta. Ka një listë jo të vogël me miq, kolegë e ish-kolegë që kanë një bast personal me drejtësinë. Kush ka gabuar me dashje, duhet të paguajë dhe kush vërteton të kundërtën e ka të hapur derën e mbyllur përkohësisht.
Prezumimi i pafajësisë është i shenjtë, besimi ynë është te drejtësia deri në fund. Duhet të kuptojmë se zgjidhjet juridike janë të pamjaftueshme nëse nuk parashoqërohen me zgjidhje me mjete politike. Duhet të lëvizim fort dhe shpejt drejt një tjetër lloji lufte, hapja e PS-së e të rinjve, meritokracia e karriera e kushtëzuar janë vaksinat politike që na imunizojnë ndaj shfaqjeve. PS është edhe sëmundja që duhet kuruar edhe ilaçi që kuron”, tha Spiropali.
Spiropali nuk nguroi që të shenjestronte opozitën. Sipas saj, kjo opozitë nuk ka aftësi për të qeverisur veten, e jo më vendin, e për këtë shtoi Spiropali, PS-ja është përballë detyrën për të ribërë vetveten.
“Ne kemi krijuar pakënaqësi ndaj vetes, gara jonë nuk është me ata që kemi përballë qe janë për faqe të zezë, por me pritshmëritë e qytetarëve. PS duhet të ribëjë veten.
Kundërshtarët janë të paaftë të qeverisin veten në opozitë, jo më vendin. Për këtë shkak dhe këtë kalendar domethënës suksesesh që ka prodhuar qeverisja jonë duket se kemi çdo arsye të jemi me kokën lart për çfarë kemi bërë”, tha ajo.