Opozita Kush mund të votojë dhe si mund të regjistroheni në primaret e...

Kush mund të votojë dhe si mund të regjistroheni në primaret e PD

Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD, Albana Vokshi, dha detaje këtë të mërkurë mbi primaret që do të aplikojë PD-ja dhe LSI-ja për zgjedhjen e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit të ardhshëm.

Vokshi u shpreh se çdo qytetar mund të marrë pjesë duke u regjistruar si simpatizant i PD-së. Afati i regjistrimit do të jetë 30 nëntori, ndërsa votimi për primaret do të mbahet më 4 dhjetor.

“Ajo që unë dua të theksoj është fakti që primaret janë një proces gjithëpërfshirës.

Është risi. Për herë të parë është aplikuar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet. Por tashmë primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.

Ato jo vetëm nuk lënë jashtë askënd, por kushdo që beson që ka mbështetje në elektoratin opozitar, por jo vetëm, mund të kandidojë sipas rregullave të caktuara që ne do t’i shpjegojmë edhe sot.

Çdo qytetar që beson se vota e tij vlen mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton. Primaret janë themeli i besueshmërisë së Partisë Demokratike, e cila lindi dhe vazhdon të jetë parti e votës së lirë, parti e njerëzve të lirë. Primaret do t’u tregojnë edhe njëherë qytetarëve, përtej Partisë Demokratike, se ne jemi alternativa më e mirë për të qeverisur jo vetëm bashkitë, por për të qeverisur vendin”, tha Vokshi.

Me çfarë parash do të financohen primaret?

“Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi, tha se primaret brenda PD-së nuk kanë nevojë për financime të konsiderueshme. E pyetur për shpenzimet e grupimit “Berisha”, duke qenë se financat aktualisht i ka në kontroll grupimi “Alibeaj”, Vokshi tha: “Ne kemi kaluar që në datë 11 dhjetor 2021 e deri më sot kemi zhvilluar disa zgjedhje. Për çdo degë, secila që organizon ato, nuk janë financa të konsiderueshme pasi zhvillohen në selitë e PD-së. Duke parë edhe historikun e zgjedhjeve, është një shpenzim krejt minimal që vetë degët e kanë marrë përsipër. Për Tiranën janë zhvilluar në zyrat e PD-së. Pra nuk ka financa të konsiderueshme”.

Sa do të votojnë në primare?

Anëtari i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektoral, Ervin Minarolli, tha se shumë shpejt do të dalë edhe numri i saktë i anëtarëve dhe simpatizantëve të PD që do të votojnë në primare. “Janë 40 mijë anëtarë që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme, ndërkohë që ka pasur edhe anëtarësime të reja. Para se të hyjmë në proces të gjitha degët do të konfirmojnë anëtarësinë e tyre”, tha Minarolli.