Qeveria ka marrë vendimin ditën e sotme që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15%. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se 7%-shin do ta mbulojë buxheti i shtetit. Ndërsa pjesën tjetër, vetë universitetet.
“Konkretisht sot kemi vendosur që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15% ku 7 % do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të paguhet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave të tyre. Pra kemi kufirin minimal 7%, rritje pagash dhe kufirin maksimal 15%”, u shpreh Kushi.
Ndërkohë ministrja shtoi se, “kufirin që vendosëm sot deri në 15 %, vitin e ardhshëm mund ta rrisim përsëri”.
Sipas Kushit rritja e pagave do të nxisë rritjen e performancës nga vetë universitetet. Ministrja tha se qeveria shqiptare e ka mbështetur arsimin e lartë sa i përket kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së universiteteve.