Fitorja në Hungari, që mban me shpresë kuqezinjtë për një kualifikim të mundshëm në Botërorin e Katarit, është pasuar nga komente dhe reagime të ndryshme, nga personazhe të të gjitha fushave, siç ndodh shpesh në raste të tilla. Ato që duhen veçuar dhe që duhen marrë për bazë sigurisht janë mendimet e specialistëve të fushës.
Sokol Kushta dhe Roland Luçi, dy ish-sulmues të shquar të futbollit shqiptar dhe Kombëtares, e kanë përqendruar mendimin e tyre tek Armando Broja, duke e konsideruar atë një talent të rrallë. Që të dy mendojnë se sulmuesi i ri kuqezi mund të bëhet më i suksesshmi që ka lindur ndonjëherë Shqipëria.
Kushta komplimenton Brojën, por edhe Rejën dhe ekipin: “Bravo Kombëtarja, bravo Reja, bravo Broja. Unë jam kundër unit, por jo kundër statistikave dhe faktit që Broja mund të jetë ndër të paktit, ose i vetmi që i ka dhënë Shqipërisë 6 pikë personale. Kush anashkalon këtë djalë të ri, ose është i paditur në futboll, ose është xheloz. I uroj Brojës të vazhdojë në këtë rrugë të bukur dhe të ketë kujdes vetëm nga vetja. Suksese Kombëtares në kualifikimin për në Botëror, shanset janë të mëdha”, – shkruan Kushta në një postim të tij në rrjetet sociale.
Roland Luçi bën një analizë më të detajuar teknike të aftësive të Brojës: “Ky djali ka dy aftësi dalluese të lindura, vertikalitetin dhe synimin e kapjes patjetër të zonës së rreptësisë, janë të rrallë të ngjashmit e tij në botë. Vetëm një gjë mund ta frenojë në kapjen e majave të futbollit dhe kjo është egoja e tij disi e tepruar, paçka se për Kombëtaren tonë rezultoi fatlume. Me një korrigjim të saj në drejtim të vënies në shërbim te ekipit, Armando Broja do të jetë më i suksesshmi i llojit të vet që ka lindur Shqipëria.
I ngjashëm me të, paçka se një shkallë më poshtë në komponentët e sipërpërmendur është edhe Uzuni. Është urgjencë që këta të dy duhet të përbëjnë jo vetëm dyshen e sulmit tonë, por ndaj tyre edhe përshtatjen e sistemit të lojës”, – shkruan Luçi në profilin e tij në Facebook, në vlerësimin për Brojën dhe Uzunin.
Ish-futbollisti shkodran ka edhe një këshillë për trajnerin Reja: “Dikush duhet t’i thotë trajnerit që nuk duhet pritur deri në konsumimin e plotë të X a Y lojtari, por duhet ndërhyrë me ndërrime shumë më herët. Kështu dhe skeptikët e xhelozët do ta kenë më të vështirë në baltëhedhjen ndaj Kombëtares nga studiot sportive në shumicë të degraduara”.