Fshati Babunjë i Divjakës u trondit mbrëmjen e së shtunës kur Hekuran Rrasa, 58 vjeç mori armën dhe vrau bashkëshorten Fëllënxë Rrasa, 45 vjeç. Pasi kreu krimin ai i dha fund jetës së tij.
Gazetarja Anila Sefa ka raportuar se ditën e stome po bëhen nderimet e fundit viktimave. Trupin e pajetë të bashkëshortes e kanë tërhequr familjarët e saj. Duke iu referuar intervistave të familjarëve të çiftit bëhet fjalë se shkak i kësaj tragjedie mund të jetë gjendja e rënduar ekonomike.
Çifti Rrasa jetonte në një shtëpi të vjetër. Prej 3 vjetësh autori i krimit punonte në Bashkinë e Divjakës së bashku me djalin. Fëllënxa merrej me punët e shtëpisë, bujqësi dhe mbante disa krerë lopë.
“Nuk ishte në gjendje për të përballuar anën financiare dhe kërkesat që kishin në këtë familje. Disa zëra i vënë gishtin Hekuranit dhe thonë që kohët e fundit ka pasur një stres të shtruar. Mësohet se ai është shprehur në një rreth të ngushtë familjar se ka qenë i stresuar shumë ditët e fundit dhe nuk ka qenë në një gjendje të mirë. Hetimet po kryhen nga ana e policisë e deri më tani është marrë në pyetje djali. Por gjendja e tij psikologjike është shumë e rënduar pasi ka parë të dy prindërit të vrarë në dhomën e gjumit. Fëllënxa ka pasur një shkuarje të mirë me familjen e saj, kishin marrëdhënie reciproke. Njerëzit kanë mohuar që Hekurani të ushtronte dhunë ndaj gruas. Ata këmbëngulin që Hekurani ishte përdorues i alkoolit, por jo aq sa të shkaktonte dhunë dhe një tragjedi të tillë si ajo e vrasjes së mbrëmshme”, raportoi gazetarja.
Një prej të afërmve ka thënë se në gjendjen që ka qenë Hekuran Rrasa mund të vriste edhe persona të tjerë.
“Shumë mirë, zonjë grua ka qenë. Ishte një çikë e varfër”, tha një qytetare.
“Si familje shumë e mirë, shikonin punën e tyre, punonin, por nga varfëria. Pa pasja i erdhi kjo. Punonte i shoqi në bashki, pastrues varrezash, shumë pak por paguhej, 220 mijë lekësh të vjetër, djalin pa punë. Varfëri. Për punën e pa pasjes janë hëngër. Hekurani ka qenë shumë i qetë”, u shpreh një e afërme,
“Punëtor ka qenë, vetëm fukarallëku e ka mundur. S’ka shtëpi, as katandi, vetëm një djalë ka. Vetëm nga fukarallëku. Pa ndihma, pa gjë hiç. Nuk konsumonte alkool, vetëm duhan. Me bashkëshorten shkonte mirë. Tashi edhe shtëpia do ketë fjalë. Nuk ishte i dhunshëm, shikonte hallin e vet”, u shpreh një i afërm.
“Ditët e fundit ka qenë me probleme mendore. Stres. Nuk jam mirë thoshte. Vente tek lumi dhe ikte. S’jam mirë thoshte këto dy-tre ditët e fundit. Shyqyr me kaq se ai 5-6 vetë i vriste në atë moment. Ai vriste 10 vetë në moment meqë ka kaluar në depresion”, tha një grua.
Burimi: Tv Klan