Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Tiranës Anila Guri (Kristani), njëkohësisht kandidate për Gjykatën Kushtetuese.
Për të, komisionerët thanë se kishte probleme tek deklarimi i pasurisë.
Gjatë hetimit KPK identifikoi një banesë në pronësi të nënës së gjyqtares Guri në fshatin Pulaj të Velipojës të ndërtuar në vitin 2007, por të deklaruar në vitin 2017 me vlerë 2.5 milionë lekë.
Vetë gjyqtarja tha se subjekti është deklaruar se është blerë nga të të ardhurat e siguruara prej nënës së saj nga shitja e një apartamenti në Gjirokastër në vlerën 4 milionë lekë.
Hetimi administrativ për gjyqtaren Guri u bë në të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit
Ndërkohë një ditë më parë të njëjtin fat pati edhe një tjetër kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, Ilir Mustafaj, të cilit iu gjetën probleme me pasurinë.
Pas këtyre dy shkarkimeve e vetmja kandidate nga gjyqtarët, për në Kushtetuese që ka kaluar Vettingun është gjyqtarja Regleta Panajoti.