Politika Kushtetuesja i dha të drejtë opozitës për Xhaçkën, por Meta nuk kënaqet:...

Kushtetuesja i dha të drejtë opozitës për Xhaçkën, por Meta nuk kënaqet: Institucion i kapur nga Rama

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar sot Kuvendin që t’i sjellë mocionin e deputetëve të opozitës për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, por kjo nuk e ka kënaqur opozitën. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk i ndali akuzat duke thënë se kjo gjykatë, është një institucion i kapur nga “Ramaforma” pasi do duhet të kishte reaguar me kohë dhe më prerë.

“Konflikti i interesave është në nivelet më të jashtëzakonshme. Dhe dihet, që edhe Gjykata Kushtetuese është një institucion i kapur nga Ramaforma. Dhe, qëndrimet e saj duhet të kishin qenë të qarta dhe të prera me kohë. Jo vetëm për këtë çështje, por dhe për të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me interesin publik, apo me interesin kombëtar”, tha Meta.

Ai u ndal edhe te zgjedhjet në Himarë, ku opozita nuk ka dalë ende me një kandidat. Për Metën, gjithçka ka ndodhur është pjesë e një skenari mafioz.

“Lidhur me zgjedhjet në Himarë, dua të vlerësoj se gjithçka është pjesë e një skenari mafioz, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës. Dhe me parimet mbi të cilat ai funksionon. Gjithçka është bërë fakt i kryer në një kohë rrufe. Duke, tentuar për të marrë me dhunë, me forcë, dhe në mënyrë të paligjshme bashkinë e Himarës. Atë që nuk u arrit të merrej as me dhunë, as me forcë, dhe as me rrëmbimin mafioz që iu bë zotit Beleri, dy netë përpara zgjedhjeve. Është tepër e qartë, se vendi është në momentet më të errëta të demokracisë, dhe respektimit të shtetit ligjor. Pasi, të gjithë e dimë se për të dërguar zotin Beleri për të bërë betimin ishte e pamundur, por për të dërguar në KQZ për t’i hequr mandatin ishte plotësisht e mundur.

Ky është një regjim policor, kriminal që duhet shembur. Dhe, për çështjen e Himarës, ne do të kemi të njëjtin qëndrim me Partinë Demokratike”, tha Meta.