Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi është njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas shpalljes së tij në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, por tashmë është në pritje të arsyetimit të plotë të saj për të qartësuar dilemat që ka me këtë proces. Kështu deklaroi ajo në emisionin “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani.
“Jemi njohur vetëm me një fjali. Mendoj se argumentimi do të na ndihmojë për të kuptuar vlerësimin. Akoma ka shumë pikëpyetje dhe paqartësi që ai shqyrtimi do na i qartësojë. Mendoj që duhet të presim për përfundimet në arsyetimin e plotë të vendimit te Gjykatës Kushtetuese. Situata është e tillë, që në qoftë se gjykata ka refuzuar kërkesën, jemi në kushtet e të njëjtave pikëpyetjeve si në situatën para se dorëzonim kërkesën. Të gjithë shqiptarët, shoqata e bashkive, BE, Bundestagu, të gjithë ata që ishin të interesuar do ngelen pa përgjigje. Bashkitë në këtë moment ndodhet në zallamahinë e pakuptimtë që nuk ka kushtetutë që e zgjidh. Nëse gjykata kushtetuese do duhet të kishte vendosur rrëzimin për disa argumente, në bashkitë pa kryetarë duhet të kemi zgjedhje”, tha Ademi.
Pyetur nëse do kandidonte sërish për të marrë drejtimin e kësaj bashkie edhe për një mandat tjetër, Ademi shprehet se në kushtet ku është nuk do e mendonte dy herë këtë vendim por në një kohë tjetër dhe rrethana të tjera, kërkoj që t’ia lërë kohës.
“Unë jam kryetare e bashkisë së Shkodrës dhe nuk tërhiqem kollaj. Vazhdoj të punoj shumë për qytetin tim. Kam angazhimin tim për të vijuar. Vendimmarrja duhet të bëhet në momentin dhe kohën e duhur. Sot jam e gatshme ndërsa nesër mund të ndryshojnë rrethanat dhe mund të diktojnë vendimmarrje të tjera. Por në këtë moment, nesër po të kemi zgjedhje, unë do të kandidoj”, deklaroi ajo.