Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për çështjen e parë pas plotësimit të saj më katër anëtarë. Ajo ka marrë në shqyrtim kërkesën e Presidentit Ilir Meta për pezullimin e projektit për Teatrin Kombëtar. Shqyrtimi i kërkesës së kreut të shtetit do të bëhet në një mbledhje me dyer të mbyllura dhe komenti për këtë çështje pritet të jepet brenda datës 22 janar 2020.
Në 24 korrik të këtij viti Presidenti Ilir Meta iu kundërpërgjigj Qeverisë me një lëvizje duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ligjin për prishjen dhe ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Kërkesa kryesore e Presidentit është që Gjykata të urdhërojë zbatimin e ligjit dhe të japë vendim për kushtetuetshmërinë e tij.
Meta preferoi që ta dorëzonte personalisht kërkesën, duke e përshkruar në këmbë rrugën nga Presidenca drejt godinës në Gjykatën Kushtetuese së bashku me tre këshilltarët e tij.
Kreu i shtetit foli jashtë ambienteve të Gjykatës Kushtetuese atë ditë për atë që e quajti “rule of oligarchs”. “Është përpjekje për të instaluar me dhunë “rule of oligarchs”, tha Meta, duke e vlerësuar aktin e tij si të një rëndësie të madhe.
Ligjin për Teatrin, Meta e konsideroi “akt kriminal, në shkelje totale të Kushtetutës dhe në kundërshtim të plotë edhe me interesat kombëtare të vendit, pasi ligji për shkatërrimin e Teatrit është një kryevepër sepse si asnjëherë më parë kryhet një krim kushtetues, kombëtar dhe kulturor”.
Numri një i shtetit foli edhe për një drejtësi kombëtare dhe ndërkombëtare kundër atyre që i quajti “rilindas kombëtarë dhe ndërkombëtarë”. “Dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur këtu për të garantuar se Republika e Shqipërisë do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit. Boll më me sundimin e oligarkëve! Është e domosdoshme të ndërpritet akti kriminal që nisi sot në mëngjes dhe më solli mua këtu. Dua t’i siguroj se do të veprojë drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj rilindasve kombëtar dhe ndërkombëtarë. Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president për t’i vendosur përballë drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare rilindasit lokalë dhe ndërkombëtarë”, shtoi Meta.