Finlanda nuk dëshiron që NATO të vendosë armë bërthamore ose të krijojë baza ushtarake në territorin e saj edhe nëse bëhet anëtare, tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin në një intervistë për Corriere della Sera.
Marin u shpreh gjithashtu se çështja e vendosjes së armëve bërthamore ose hapjes së bazave në Finlandë nga NATO nuk ishte pjesë e negociatave të anëtarësimit të Helsinkit me aleancën ushtarake perëndimore.
“As nuk mendoj se ka ndonjë interes për vendosjen e armëve bërthamore apo hapjen e bazave të NATO-s në Finlandë”, tha ajo.
Kryeministrja gjatë një vizite në Romë për t’u takuar me homologun e saj italian, Mario Draghi, tha se besonte se çështja mund të zgjidhej përmes dialogut.
“Unë mendoj se në këtë fazë është e rëndësishme të qëndrojmë të qetë, të kemi diskutime me Turqinë dhe të gjitha vendet e tjera anëtare, duke iu përgjigjur pyetjeve që mund të ekzistojnë dhe duke korrigjuar çdo keqkuptim”, tha Marin për të përditshmen italiane Corriere della Sera.
Kryeministrja Magdalena Andersson e Suedisë fqinje, e cila si Finlanda po aplikon për anëtarësim në NATO, ka thënë gjithashtu se vendi i saj nuk dëshiron baza të përhershme të NATO-s apo armë bërthamore në territorin e saj.
Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të mërkurën, por përballen me kundërshtime nga Turqia ndaj një procesi pranimi që fillimisht pritej të ishte relativisht i shpejtë.
Turqia, një anëtare e NATO-s që nga viti 1952, ka shprehur kundërshtimin e papritur ndaj anëtarësimit finlandez dhe suedez, duke akuzuar fqinjët nordikë se strehojnë individë të lidhur me grupet që ajo i konsideron terroriste.
Ankaraja përmendi gjithashtu embargon e eksportit të armëve të vendeve ndaj Turqisë pas inkursionit të saj në Siri në vitin 2019.