Kryesore Kuvendi autorizoi SPAK-un ta arrestojë, çfarë ndodh tani me Ahmetajn, mesazhet e...

Kuvendi autorizoi SPAK-un ta arrestojë, çfarë ndodh tani me Ahmetajn, mesazhet e koduara dhe lëvizja për t’i shpëtuar burgut

Arben Ahmetaj

Një javë pasi SPAK-u firmosi kërkesën, Kuvendi i dha sot leje Prokurorisë së Posaçme që ta arrestojë dhe t’i kontrollojë banesën Arben Ahmetajt në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorëve.

Por si veprohet? Me vendimin që mori Kuvendi, Lindita Nikolla i kthen përgjigjen zyrtare SPAK-ut që autorizimi është miratuar.

Prokuroria me vendimin e Kuvendit në dorë i kërkon gjykatës kërkesën për masën e sigurisë. Nëse gjykata vendos pro atëherë shkresa i dërgohet policisë për ta shpallur në kërkim. Ndërkohë që bëhet kontrolli në banesë.

Por ku ndodhet Ahmetaj?

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri. Sipas avokatit të Ahmetajt, Henrik Ligori, ish-zv/kryeministri ndodhet në Angli pranë familjes së tij.

“Zoti Ahmetaj ndodhet pranë familjes së tij, pranë vajzës së tij në Angli. Do të vijë kur të ketë liri”, tha avokati Ligori.

Deputeti socialist u largua një javë më parë. Iku të premten nga pika e Kakavijës duke kaluar në Greqi. Ka bërë dy reagime. I pari mbrëmë dhe i dyti sot përpara votimit në Kuvend.

Në të dy rastet qëndrimi është i njëjtë; nuk do të dorëzohet për t’u përballuar me drejtësinë.

Lëvizja për t’i shpëtuar burgut?

Nëse policia nuk e gjen brenda vendit atëherë e shpall në kërkim ndërkombëtar. Sipas të gjitha gjasave, Ahmetaj mund të kërkojë azil për t’i shpëtuar arrestimit.

Mandati

Arben Ahmetajt iu hoq imuniteti, por jo mandati. Ai vazhdon që të jetë deputet i Partisë Socialiste, por nëse nuk shkon në Kuvend brenda gjashtë muajve të ardhshëm i hiqet mandati. Gjithashtu edhe nëse ka një vendim të formës së prerë nga Apeli ose në e jep vetë dorëheqjen.

Letra

Në një letër të gjatë drejtuar votuesve dhe kolegëve të tij deputetë, Arben Ahmetaj hodhi poshtë akuzat e ngritura nga SPAK-u, duke sqaruar se hetimi i nisur ndaj tij për inceneratorët është i pabazuar në fakte e prova dhe se në skaner të prokurorëve është vënë jeta e tij për 25 vite.

Ish-zv/kryeministri tha se ka marrë mesazhe kërcënuese dhe se nuk do të kthehet pa dalë në sheh e vërteta rreth tij.

“Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi… po jo përpara se e vërteta të marri rrugë e dritë”.

Mesazhet e koduara

Nuk përmendi asnjë emër se kush dëshiron që ta shohë në burg, teksa jep jo pak mesazhe të koduara në letrën e tij të gjatë.

“Dikush nga gazetarët tha që jam në 30 vite zyrtari me i lartë që kanë qejf të më shohin në burg. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.

Letrën e tij të gjatë ish-zv/Kryeministri e mbyll duke i kërkuar falje votuesve të tij, teksa lë të hapur një tjetër mesazh për të vërtetën e tij që thotë se ‘e di vetëm Zoti’.