Lideri demokrat Basha shpalosi me pak fjalëm kredon e partisë së tij në opozitë, duke dashur të kundërshtojë të gjithë zërat që thonë se PD po tenton vetëm rrugën për të ardhur në pushtet.
“Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim”, u shpreh Basha, në një fjalim në Kuvendin demokrat të mbledhur paraditen e kësaj të shtune.
Sipas tij, protestat që nxit PD e kanë kredon e tyre morale e nuk përbëjnë abuzivitet politik.
“Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide. Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e çdokujt që të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta, atëherë kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqeverisjes, krimit dhe korrupsionit”, theksoi lideri demokrat.