Kuvendi votoi të enjten ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën territoriale, gati tetë vjet pas miratimit të saj në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
Nga Blerina Gjoka – BIRN
Një komision parlamentar i përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës do të marrë në shqyrtim zbatimin e reformës Administrativo-Territoriale të miratuar në vitin 2014 dhe pritet të hartojë një projekt të ri për ndarjen territoriale.
Kuvendi votoi me konsensus të enjten projektvendimin për përbërjen e këtij komisioni me 108 vota pro, duke i hapur rrugën rishikimit të reformës territoriale, që ndryshoi hartën administrative të vendit dhe e ndau atë në 61 bashki.
Komisioni ka 16 anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e aleatëve të saj si dhe do të funksionojë për një periudhë 6-mujore. Komisioni do të drejtohet nga bashkëkryetaret Dhurata Çupi nga PD dhe Anila Denaj nga PS.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij përcaktimin e kritereve për ndarjen e re administrativo-territoriale; hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të saj dhe përgatitjen e projektit për ndarjen e re administrativo-territoriale.
Dhurata Çupi i tha BIRN se ky komision ishte i domosdoshëm, pasi duhet bërë një analizë e thellë për problemet që ka hasur reforma e bërë në vitin 2014. Çupi tha gjithashtu se komisioni do të diskutojë mbi decentralizimin e bashkive, unifikimin e territorit si dhe fshatrat e lëna pa mbështetje.
“Ka pasur problematika deri në kufijtë e dështimit,” tha Çupi.
“Fakti që u arrit ky konsensus politik tregon se është nevojë e domosdoshme,” shtoi ajo, duke theksuar se synohet të dilet me një projekt të ri.
Anëtari socialist i komisionit, Eduart Ndreca tha se “reforma nuk nënkupton vetëm ndarjen, ka dhe elementë të tjerë”.
Puna e komisionit do të përfshijë konsultime me ministritë përgjegjese për çështjet vendore, me përfaqësues të qeverisjes vendore dhe të shoqatave të zgjedhura vendore, ekspertë të fushës, të shoqërisë civile dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që mbulojnë çështjet e qeverisjes vendore.
Kuvendi ka ftuar për asistencë edhe delegacionet e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në vitin 2014, një komision i ngjashëm i përbashkët nuk arriti dot të miratojë me konsensus hartën e re territoriale, e cila përcaktoi 61 bashkitë e vendit. Harta u votua me votat e socialistëve në pushtet dhe votat e partive të vogla aleate PDIU e LSI, ndërsa Partia Demokratike votoi kundër. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një kërkesë të PD-së për shfuqizimin e kësaj reforme.