Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin francez për t’i hapur rrugë çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.
Propozimi francez u miratua me 68 vota të pro të mazhorancës, ndërsa opozita maqedonase u largua nga Parlamenti para se të niste votimi.
Prej 3 ditësh, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut diskutonte për propozimin e Francës që zgjidhte ngërçin me Bullgarinë, shtet ky që ka vendosur veton dhe mban bllokuar procesin e negociatave për RMV-në, e rrjedhimisht edhe për Shqipërinë duke qenë se dy vendet janë së bashku në këtë proces.
Njëkohësisht, në Shkup janë zhvilluar protesta kundër propozimit francez, të cilat janë organizuar nga opozita maqedonase.
Me miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, pritet që javën e ardhshme të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe RMV-së me Bashkimin Europian për hapjen e negociatave. Liderët europianë i kishin bërë thirrje Shkupit zyrtar që të pranonte propozimin francez, ndërsa partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar fort.
Nëse propozimi francez nuk do të ishte miratuar nga Parlamenti maqedonas, Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar dy ditë më parë nga një konferencë me eurokomisionerin Varhelyi se Shqipëria do të bënte kërkese zyrtare për t’u ndarë nga procesi me Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave.