Më 19 korrik, Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim mbi padinë e përbashkët të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët kërkojnë shfuqizimin e rreth 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.
Sipas padisë së dorëzuar më 1 qershor në Gjykatën Kushtetuese, dy shoqatat që përfaqësojnë interesat e lobit të gjyqtarëve kërkojnë të bëjnë nul një seri kriteresh që lidhen sistemin e ri të karrierës dhe atë të procedimeve disiplinore në gjyqësor.
Në të njëjtën kohë, padia dominohet nga përpjekja për të shfuqizuar e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.
Më konkretish, shoqatat kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të pikave në ligj që legjitimojnë mbledhjen e informacioneve nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, nga përgjimet telefonike të kryera nga agjencitë ligjzbatuese apo nga dëshmi konfidenciale që mund të mbërrijnë në institucionet e vetingut nga oficerë apo agjentë të policisë gjyqësore.
Shoqatat kërkojnë gjithashtu që gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në procesin e vetingut të kenë të drejtën të japin dorëheqjen në çdo kohë, duke sjellë si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Sipas ligjit për “rivlerësimin kalimtar”, kjo e drejtë ka skaduar tre muaj pas hyrjes në fuqi të tij.
Pretendimet e dy shoqatave të gjyqtarëve hidhen poshtë si të pabazuara nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili përmes një argumentimi të gjatë që BIRN e disponon, i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë tërësisht kërkesën.
Kërkesa e Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese, e përgatitur nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi bazohet në tre argumente kryesore; mungesa e legjitimitetit formal nga kërkuesit, shqyrtimi dhe rrëzimi i disa prej pretendimeve në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe tek fakti se parimet për kontrollin e figurës janë ndërtuar mbi bazën e standarteve më të mira ndërkombëtare.
Kuvendi pretendon se padia nuk duhej të ishte pranuar që në fillim, pasi avokati që mbron interesat e dy shoqatave të gjyqtarëve nuk rezulton në listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin përpara Gjykatës Kushtetuese. Në dosje, sipas Kuvendit mungon gjithashtu një autorizim nga Këshilli Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve si dhe nënvizohet fakti që të dyja shoqatat nuk mund të ngrejnë pretendime për çështje që lidhen me prokurorët.
Një tjetër argument lidhet me parimin “res judicata” ose çështjes së gjykuar. Kuvendi thekson se një pjesë e pretendimeve janë të njëjta me padinë e mëparshme, shqyrtuar dhe rrëzuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht këtyre argumenteve, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar në themel pretendimet e shoqatave të gjyqtarëve për kontrollin e figurës dhe i rrëzon ato si të pabazuara.
Kuvendi argumenton se nëse padia e dy shoqatave të gjyqtarëve do të aprovohej, procesi i kontrollit të figurës nuk do të kishte asnjë ndryshim nga procesi i dekriminalizimit. Ndërkohë, ligjvënësi ka pasur parasysh një proces krejt të ndryshëm, që lidhet me vlerësimin tërësor të pastërtisë së figures me qëllimin e rikthimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
“Pretendimet se në procesin e verifikimit të figurës duhet të përdoren vetëm vendimet gjyqësore nuk qëndrojnë, pasi qëllimi parësor i ligjit është të evidentojë nëse gjyqtarët ose prokurorët janë të përshtatshëm për ushtruar funksionet e tyre përmes një procesi administrativ/ disiplinor dhe jo përmes një procesi penal,” thekson Kuvendi.
Sa i përket ankesës për shtrirjen e kontrollit të figurës edhe tek personat e lidhur, Kuvendi rikthen në vëmendje opinionin e komisionit të Venecias që “nuk e quan këtë një gjë të vështirë, nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë realisht lidhje me krimin e organizuar”.
Ndërkohë, Kuvendi thekson se një praktikë e ngjashme ndiqet nga punonjësit civilë dhe ushtarakë të NATO-s, familjarët e afërt të të cilëve kanë gjithashtu detyrimin për të raportuar mbi lidhje të papërshtatshme.
Lidhur me kërkesën që gjyqtarët ose prokurorët duhet të kenë të drejtë në çdo kohë të japin dorëheqjen, Kuvendi shpjegon se kufizimi tre-mujor është vendosur vetëm për “dorëheqjen e privilegjuar”, e cila parashikon edhe përfitimin e një pagese kalimtare.
“Dorëheqja është një e drejtë kushtetuese dhe ligjvënësi nuk ka pasur për synim ta kufizojë atë. Sipas nenit në fjalë, subjekti i rivlerësimit që jep dorëheqjen pas përfundimit të këtij afati nuk mund të kërkojë pagesë kalimtare,” argumenton Kuvendi.
Padia më e fundit në Gjykatën Kushtetuese nuk është sfida e parë që i bëhet reformës në drejtësi dhe ligjeve të miratuara në kuadër të saj. Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar më parë dy padi të Partisë Demokratike dhe një të tretë nga dy shoqatat e mësipërme, duke pranuar pjesërisht të shfuqizojë disa nene të ligjeve bazë./BIRN