Ekonomi Kuvendi kërkon para shtesë/ Deputetët nuk kursehen në luks: Shpenzuan 400 mijë...

Kuvendi kërkon para shtesë/ Deputetët nuk kursehen në luks: Shpenzuan 400 mijë euro në 8 muaj për udhëtime jashtë vendit

Për bileta avioni dhe hotele, taksi apo makinë me qira… bashkë me dietat dhe përkthyesit, deputetët shqiptarë shpenzuan 400 mijë euro deri në gusht vetëm për udhëtime jashtë vendit. Pjesa më e madhe e parave rezulton të ketë shkuar për biletat e udhëtimit, ndjekur nga pagesa për akomodim në hotel dhe shpërblimet.

Shpenzimet e ligjvënësve kanë tejkaluar parashikimet fillestare duke harxhuar në tetë muaj 70 për qind të buxhetit total për vitin 2024.

“Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ”, thotë Kuvendi i Shqipërisë.

Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm edhe në drejtim të pagave. Pas dakordësisë së arritur mes qeverisë dhe opozitës fund-majin e vitit të shkuar, shpenzimet për rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre janë mbi dyfishuar. Nga 227.4 milionë lekë në janar-gushtin e një vitit më parë, për po për njëjtën periudhë kohore këtë vit janë shpenzuar 736.4 milionë lekë për pagat e deputetëve.

Madje po të mos ishte për Sali Berishën pa të drejtë page për shumë muaj dhe disa deputetëve të tjerë me funksione në qeveri, kjo shumë do të ishte edhe më e lartë.

“Argumentet mbi realizimin faktik më të ulët se plani të fondit të pagave, lidhen me mosplotësimin e numrit të punonjësve (përfshirë deputetët). Nga 140 deputetë për të cilët planifikohet fond page, 9 deputetë nuk paguhen në Kuvend, për shkak të funksioneve në qeveri; stafi politik në proces plotësimi dhe stafi administrativ gjithashtu, në proces rekrutimi”, thotë Kuvendi i Shqipërisë.

Në total, nga janari në gusht, Kuvendi ka shpenzuar gati 1.1 miliardë lekë nga rreth 2 miliardë lekë që është buxheti në dispozicion të këtij institucioni për këtë vit./ A2 CNN