Parlamenti do të mblidhet këtë të hënë në orën 18:00 për të nisur sesionin e ri parlamentar. Pavarësisht se sot është ditë pushimi për shkak të festës kombëtare të shenjtërimit të Nënë Terezës, Kuvendi pritet të mblidhet sipas përcaktimit kushtetues.
Ky sesion pritet të jetë shumë dinamik, nisur dhe nga deklaratat e krerëve të opozitës që betejën me qeverinë do e bëjnë dhe në parlament dhe në shesh duke protestuar.
Në Kuvend pritet që të shkojnë disa nisma, që nga ajo e socialistëve për të ndryshuar ligjin e dekriminalizimit ku të parashikohet pastrimi jo vetëm i radhëve të parlamentit, por gjithë politikës e institucioneve të pavarura nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kjo në fakt pritet të jetë çështja më e nxehtë e këtij sesioni.
Çështjet të tjera të rëndësishme të mbartura nga sesioni i shkuar janë përfundimi i dy reformave, asaj zgjedhore dhe asaj territoriale.
Ndërkohë gjatë këtij sesioni qeveria ka paralajmëruar se do të çojë në parlament dhe një sërë ligjesh që janë në procesin e konsultimit publik aktualisht, më i rëndësishmi prej të cilëve amnistia penale e fiskale.
Legalizimi i kanabisit dhe rikthimi i basteve online janë dy nisma të tjera që janë në konsultim e që pritet t’i dërgohen si projektligje nga qeveria parlamentit brenda këtij sesioni.