Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta, duke miratuar raportin e Komisionit Hetimor mbi “shkeljet e rënda kushtetuese” për të cilat ai akuzohet.
Raporti mori 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.
Në këtë mënyrë, Ilir Meta bëhet presidenti i parë i shkarkuar nga Parlamenti në historinë e shtetit shqiptar.
Tani, vendimi përfundimtar i mbetet Gjykatës Kushtetuese.
Për mazhorancën, kreu i shtetit është përgjegjës për nxitjen e konfliktit me deklaratat e tij para dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit.
Kryeministri Rama tha se Presidenti ka kryer shkelje të rënda që cenojnë misionin e tij dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerë më të rëndësishëm.
“Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare.
Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, në mënyrë të përsëritur, për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore“, tha Rama.
Kryeministri tha se për të gjitha këto, Shqipëria s’mund ta durojë më Ilir Metën: “Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve të saj dhe të vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky parlament sot duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalën për të si president kanë mbaruar.”
Pas votimit, Kuvendi do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të zhvendoset edhe beteja mes maxhorancës dhe kreut të shtetit. Për largimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit nevojiten 5 vota të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.