Altin Ndoci është një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 4 personave në Durrës. 33-vjeçari u arrestua nga policia së bashku me shtetasin me iniciale K.A 22 vjeç.
Dy të arrestuarit akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besimir Haxhia në 27 mars dhe Anxhelo Avdiaj dhe Dorian Shkoza në 2 mars.
Altin Ndoci është banues në Tiranë dhe ka qenë më parë i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas policisë shkak i këtyre dy vrasjeve janë prishja e pazareve kriminale.
Gjendet arma e krimit dhe makina
“Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas”, tha drejtori i policisë.
Dy të arrestuarit edhe autorë të vrasjes në 2 mars
Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.
Prishja e pazareve
“Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal”.
Sekuestrohen arme e municione
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Persona të tjerë të implikuar
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera. Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.