Vijon të jetë e rrethuar me mister ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Tiranë ku mësuesi amerikan vrau gruan, dy qentë dhe më pas u vetëvra në banesë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e tij të marrë me qira ku jetonte me bashkëshorten me origjine nga Indonezia, në kryqëzimin e rrugës “Valbona” me rrugën “Ramazan Ceku”. Në afërsi të vendit të njohur si “Ura e Institutit”, në dalje të kryeqytetit.
Viktima është identifikuar nga policia si Indah Lilis Sartika Saragih, ndërsa autori është bashkëshorti i saj, Matthew James Wertz.
Wertz mbyti me litar gruan e tij, e me pas vari dhe veten. Fillimisht është gjetur trupi i pajetë i 55-vjeçarit, i cili rezulton mësues i gjuhëve të huaja në shkollë private në kryeqytet.
Po ashtu të vrarë me shkop bejsbolli janë gjetur dhe dy qentë e shtetasit amerikan, siç njoftoi policia.
Viktima kishte lënë edhe një letër lamtumire.
Ai i kërkonte falje babait të tij, ndërsa shprehej se po merrte me vete dhe njerëzit e tij më të dashur. “Më fal për veprimin ekstrem. Jam i paburrë dhe nuk ia dola dot që të hiqja dorë nga veset. Me vete po marr personat e mi më të dashur, në kartë kam para për të shlyer borxhet”, është shkruajtur mes të tjerave në letrën e lamtumirës.