Hyni, vendosni rripin e sigurimit dhe një minutë e njëzet sekonda më vonë zbarkoni pasi keni udhëtuar 1.7 milje…
Kompleksi pak i njohur i ishullit Orkney në Angli është bërë i famshëm në këtë drejtim, pasi ka fatin të jetë shtëpia e fluturimit komercial më të shkurtër në botë.
Bëhet fjalë për kalimin e banorëve dhe punëtorëve nga ishulli Westray në ishullin Pope Westray, të cilët janë 1.7 milje (2.7 km) larg njëri-tjetrit.
Duhet shumë më tepër kohë për të kontrolluar biletat dhe për të hipur tetë pasagjerët në aeroplanin me helikë sesa fluturimi një minutë e 20 sekonda. Madje në një ditë të mirë, me erëra të favorshme dhe bagazh të lehtë, duhen vetëm 53 sekonda.
Avioni fluturon në vijë të drejtë dhe në lartësinë 107 metra dhe natyrisht nuk ka stjuardesë, ndërsa pasagjerëve nuk u shërbehet absolutisht asgjë, pasi nuk ka kohë!
Fluturimi kryhet nga Loganair dhe piloti Colin McAllister duke folur për të tha se ai fluturon me një shpejtësi prej 150 miljesh, pra 240 kilometra ndërsa theksoi se avioni ka aerodinamikën e një tulle, por është më i përshtatshmi për këtë rrugë.
Dy aeroportet janë të vegjël dhe secili ka një kontrollues trafiku dhe dy zjarrfikës në rast se ndodh diçka. Fluturimi bëhet dy herë në ditë.
McAllister e ka bërë këtë rrugë më shumë se pesë mijë herë dhe e vetmja ankesë që pasagjerët kanë është se nuk marrin asnjë karamele prej tij!