Kryesore Ky është shqiptari nga Maqedonia e Veriut që do kryente sulmin terrorist...

Ky është shqiptari nga Maqedonia e Veriut që do kryente sulmin terrorist në koncertin e Taylor Swift

I identifikuar si Beran A., personi me hanxharë në duar, që shihni në foton e mëposhtme, është i dyshuari kryesor për sulmin terrorist që do të kryhej në koncertin e Taylor Swift në Vjenë.

19-vjeçari me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, tashmë i arrestuar, kohët e fundit kishte ndryshuar rrënjësisht pamjen e tij dhe dukej si një terrorist i ISIS, sipas fqinjëve.

I riu ishte mbështetës i organizatës terroriste islamike. Ai jetonte në një shtëpi të sapondërtuar në Ternitz, në jug të Vjenës, ku kaloi edhe fëmijërinë pasi prindërit u zhvendosën aty nga Maqedonia e Veriut.

Berani së bashku me një 17 vjeçar që ka përfunduar po ashtu në pranga kishin planifikuar që të kryenin një sulm terrorist në koncertet tashmë të anuluara të Taylor Swift në Vjenë, ku planifikonin të përdornin thika ose eksplozivë të bërë vetë për të vrarë sa më shumë njerëz.

Kreu i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror dhe Inteligjencës, Omar Haijawi-Pirchner tha për mediat se 19-vjeçari synonte “të vriste veten dhe një turmë të madhe njerëzish në koncertin” që do të realizohej në stadiumin Ernst Happel.