Fermerët të zemëruar për mishin e rritur në laborator po e çojnë luftën e tyre në zemër të projektit evropian
Mishi i kultivuar në laborator është temë debati në Europë. Pjesë e një menuje që synon të zëvendësojë mishin e kafshëve me alternativa me më pak ndikim në mjedis, ushqimi i ri promovohet nga shumë si zgjidhja për të ushqyer popullsinë në rritje të botës, pasi kërkesa për mish vazhdon të rritet pavarësisht se hapësira dhe burimet e ujit të nevojshme për rritjen e kafshëve, mbeten të njëjtat.
Megjithatë, me politikën e bujqësisë në një gjendje veçanërisht febrile, mishi i rritur në laborator është bërë objektiv i një reagimi të fuqishëm. Ai është kthyer në një nga pikat më të nxehta në betejat për mënyrën se si Evropa e prodhon ushqimin e saj.
“Këto praktika përfaqësojnë një kërcënim për qasjet primare të bazuara në ferma dhe metodat e vërteta të prodhimit të ushqimit që janë në qendër të modelit bujqësor evropian”, argumentohet në një letër që është dorëzuar në Këshillin e Bashkimit Evropian nga disa qeveri, mes të cilave ajo e Italisë, Francës dhe Austrisë. Ky është një pretendim i guximshëm duke qenë se mishi i rritur në laborator nuk është ende në tregun evropian.
E vërteta është se proteinat alternative kanë ndryshuar kanë prekur një “nerv” të bujqësisë evropiane, duke sfiduar më shumë se gjysmë shekulli konsensus rreth Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së. I njohur në Bruksel me akronimin CAP, ai është një program bujar subvencioni që jep 45 miliardë euro në vit në mbështetje të të ardhurave për fermerët dhe, në përgjithësi, përbën një të tretën e buxhetit të bllokut.
Zyrtarisht i përkushtuar për mbrojtjen e të ardhurave të fermerëve, CAP është një instrument i dobishëm që ka nxitur industrializimin e blegtorisë në Evropë dhe, në dekadat e kaluara, ka çuar në mbiprodhim bulmeti dhe mishi. Ai qëndron në zemër të projektit evropian, një monument për integrimin dhe stabilitetin rural.
Produktet e reja si mishrat dhe pijet me bazë bimore, po e zvogëlojnë atë strukturë, pasi po reduktojnë gradualisht shitjet e mishit të kafshëve dhe të qumështit. Sindikatat e mëdha të fermerëve paralajmërojnë se shpërbërja e këtij programi (CAP) mund të çojë në thërrmimin e vetë BE-së.
Historia e origjinës së CAP fillon me Sicco Mansholt, një fermer holandez që iu bashkua rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke menaxhuar shpërndarjen e ushqimit për operativët e nëndheshëm. Deri në fund të luftës, miliona ishin të uritur dhe bujqësia evropiane ishte e shkatërruar. Mansholt u emërua me nxitim ministër i Bujqësisë dhe i tha Holandës se kishte mbetur ushqim edhe për një javë.
Me planifikim të shkathët dhe kontroll të çmimeve, ai shmangu katastrofën. Një dekadë më vonë, Mansholt do t’i merrte ato mësime në Bruksel, ku u bë komisioneri i parë i bujqësisë i sapokrijuar i Komunitetit Evropian dhe prezantoi CAP në vitin 1962. Programi caktoi çmime fikse për mallrat e fermës, vendosi tarifa për importet dhe garantoi ndërhyrjen e shtetit në një treg të lëkundur.
CAP atëherë përbënte tre të katërtat e të gjitha shpenzimeve dhe strategjia e Mansholt provoi se politika e re mund të kapërcejë interesat kombëtare. Harrojeni qymyrin dhe çelikun, thotë Jeroen Candel, profesor i asociuar i politikave ushqimore dhe bujqësore në Universitetin Wageningen: “Projekti evropian filloi me bujqësinë”.
Sot, BE-ja e kujton Mansholt-in si ithtar të sigurisë ushqimore. “Duke parë tmerret e urisë holandeze në fund të Luftës së Dytë Botërore, Mansholt ishte i bindur se Evropa duhej të bëhej e vetë-mjaftueshme dhe se një furnizim i qëndrueshëm me ushqime të përballueshme duhet të garantohej për të gjithë”, thuhet në faqen e internetit të Komisionit.
Në vitet 1980, sistemi shfaqi problemet e reja: mbiprodhim, spërkatje agrokimike, rënie të biodiversitetit, erozion të tokës. Reforma e parë e CAP në 1984 preku fermerët me kufizime prodhimi; të tjerat hoqën çmimet fikse, vendosën detyrime mjedisore dhe zgjeruan mbështetjen për fermat më të vogla. Askush nuk guxoi të prekë bagëtinë.
Sektori u ankua dhe u përshtat, por termometri vazhdonte të ngrihej. Deri në vitin 2006, bagëtia ishte përgjegjëse për 18 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë, më shumë se i gjithë transporti total, sipas Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, më shumë se 80 për qind e subvencioneve të CAP-së mbështetën blegtorinë.
Në 2019, për arsye elektorale, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, lançoi Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, një plan radikal për të dekarbonizuar bllokun. Nën atë axhendë gjithëpërfshirëse, e ashtuquajtura strategjia Farm to Fork vendosi objektiva të guximshme: të frenojë ndotjen e fermave të fabrikës, të përgjysmojë antimikrobikët për bagëtinë, të reduktojë mbikonsumimin e mishit dhe të promovojë dietat me bazë bimore.
Fermerët kundërshtuan, sidomos pasi një gjykatë holandeze vendosi që bujqësia në vend duhej të reduktonte në mënyrë drastike emetimet e saj të azotit, që vjen nga plehrat e bagëtive. Në të gjithë kontinentin, popullsia rurale bllokoi qytetet dhe autostradat, duke shprehur pakënaqësi. Në mes të kësaj vale nisi edhe një luftë kulturore mbarëeuropiane kundër mishit të prodhuar në laborator.
Në Itali, Coldiretti, sindikata më e madhe e fermerëve, e kundërshtoi me forcë. “Le të mos e quajmë as ushqim,” tha Ettore Prandini, kreu i Coldiretti-t.
Kjo shënoi nisjen e një lufte të re. Ndërsa e majta italiane mbështeti mishin e rritur në laborator, Prandini u bë zëri më i fuqishëm kundër tij. Ai thotë se Big Pharma po financon fshehurazi kërkime mbi proteinat alt për t’i sëmurë konsumatorët – dhe në këtë mënyrë për të rritur shitjet e ilaçeve.
Nga ky kundërshtim e ka origjinën një ligj i miratuar nga qeveria e Giorgia Melonit vitin e kaluar, që e bëri Italinë vendin e parë në botë që ndaloi prodhimin dhe shitjen e mishit të rritur në laborator, duke vendosur një gjobë prej 150 000 euro për shkelësit. Kjo përkundër faktit se mishi i rritur në laborator nuk është ende i autorizuar për konsum në Evropë, gjë që kërkon t’i nënshtrohet një procesi miratimi afërsisht dy-vjeçar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).
Opozita e kundërshtoi këtë lëvizje si të palogjikshme duke qenë se produkti nuk ka nisur edne të prodhohet. “Ne po flasim për asgjë, për një gjë që nuk ekziston. Është thjesht një betejë ideologjike që ata duan të nisin për objektiva elektorale,” tha Alessandro Caramiello, deputet nga Lëvizja 5 Yjet që përfaqëson grupin e tij në komitetin e bujqësisë të Dhomës së Ulët. “Ata luajnë me frikën e njerëzve.”
Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, i cili është njëkohësisht kunati i Melonit, është bërë fytyra publike e ndalimit dhe ka shpallur rregullisht dëshirën e tij për të mbrojtur Italinë nga proteinat alternative. “Ato janë një kërcënim për të ardhurat e fermerëve,” tha Lollobrigida në Parma, teksa hante një pjatë djathërash të prodhuara në zonë.
“Ato janë [gjithashtu] një kërcënim potencial për shëndetin e njeriut, mjedisin, vendet e punës dhe identitetin, kulturën dhe qytetërimin evropian,” përfundoi ai.
Ata e eksportuan polemikën jashtë kufijve të vendit, pasi Prandini “udhëtoi nëpër Evropë duke u përpjekur të bindte edhe vendet e tjera anëtare të bënin të njëjtën gjë”, thotë Robert Jones, president i Cellular Agriculture Europe, një lobi mishi i rritur në laborator. Hungaria dhe Rumania po shqyrtojnë vendosjen e masave të ngjashme, edhe pse duket se embargoja e Italisë mund të thyejë rregullat e tregut të përbashkët të BE-së.
Në Bruksel, Komisioneri i Bujqësisë, Janusz Wojciechowski, ka ndjekur me kënaqësi shembullin, duke lobuar për t’i hequr proteinat alt nga propozimet mjedisore të institucionit të tij. “Ne kemi hequr tani të gjitha referencat për “proteinën” (d.m.th. mishin e prodhuar në laborator) nga teksti, sipas kërkesës”.
Edhe në SHBA, republikanët po e shqyrtojnë ndalimin e mishit të prodhuar në laborator. Ata po marrin parasysh shtetet Floridës dhe Alabamës që e kanë ndaluar tashmë ushqimin. Ish-kandidati presidencial Ron DeSantis ka deklaruar se “Florida po lufton kundër planit të elitës globale për të detyruar botën të hajë mish të kultivuar në pjatë”, duke lavdëruar Melonin.
“Ne duhet të ndalojmë mishin e rremë për të shpëtuar planetin!!!” shkroi në X Donald Trump Jr.
Në Evropë, reagimi arriti kulmin në protestat e fermerëve këtë vit. Megjithatë, jo të gjithë i interpretojnë njësoj. Për disa, demonstratat kundërshtuan heqjen e subvencioneve të naftës. Për të tjerët, ankesa ishte për konkurrencën e pandershme nga importet. Burokracia e tepruar e CAP dhe masat mjedisore ishin një objektiv i përbashkët. Kështu ishte edhe rritja e çmimeve nga kompanitë e mëdha ushqimore dhe zinxhirët e shitjes me pakicë./Politico.eu