Skuadra e Barcelonës do të synojë të zgjerojë ndikimin e kampionatit spanjoll të futbollit në vende të tjera të botës, duke ushtruar presion për zhvillimin e ndeshjeve në 4 kontinente.
Fillimisht u planifikua një përballje e katalanasve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por përplasjet e krijuara e cënuan këtë ide që në lindje.
Tani, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu mendon se zgjerimi i markës në nivel global duhet t’iu japë mundësi atyre që të paktën 3 ndeshje t’i luajnë jashtë Europës.
“Për të promovuar markën duhet të luhen 3 ndeshje jashtë vendit çdo vit, një në Amerikën e Veriut, një në Lindjen e Mesme dhe një në Azi. Ne duhet të shkojmë atje dhe të afrohemi me tifozët. Çdo verë ne bëjmë turne për t’u afruar më shumë me ata, e kjo është një mënyrë për të përcjellë respekt. Nëse duam që La Liga të forcohet, duhet të veprojmë kështu”, tha Josep Maria Bartomeu.
La Liga ka firmosur për të luajtur një ndeshje sezoni në SHBA, si pjesë e një marrëveshjeje 15-vjeçare me kompaninë mediatike “Relevent”. Dy skuadrat katalanase, Girona dhe Barcelona janë të parat që këmbëngulin të luhet jashtë, e për këtë kanë dhënë shembull finalen e Superkupës të zhvilluar në Tangier në Marok.