Një operacion antidrogë i zhvilluar nga policia spanjolle në periferi të El Puig, pranë qytetit të Valencias, ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti trafikantësh droge, që kishin arritur të ndërtonin një ndër laboratorët më të sofistikuar të kokainës në Europë.
El Puig ndodhet 20 kilometra larg Valencias, port i cili konsiderohet nga Prokuroria kundër drogës, si një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë. Kjo zonë ndodhet gjithashtu pranë AP-7, autostradës mesdhetare që lidh Andaluzinë me Algecira, një tjetër port që cilësohet si rrugë e madhe e transportit të drogës, në kufirin francez.
Sipas “El Pais”, janë arrestuar 11 trafikantë në disa qytete të ndryshme, në një operacion ku kanë marrë pjesë më shumë se 100 agjentë dhe janë sekuestruar 3 ton kokainë.
Laboratori i kokainës ishte kamufluar në një vilë larg zonave të banuara, ndërsa liderët e organizatës jetonin në një rezidencë në Kosta del Sol.
Sipas mediave, grupi ishte i përbërë nga spanjollë, kolumbianë dhe shqiptarë. Ata arrinin të sillnin në Spanjë lëndën e parë që sigurohej në Amerikën Latine dhe përpunohej në Valencia.
Mësohet se lënda narkotike fshihej duke u përzier me materiale të ligjshme, të cila kalonin në doganat spanjolle, pa u zbuluar.
Një ndër materialet më të përdorua për të kamufluar kokainën raportohet të ketë qenë pluhuri i palmës, një nënprodukt i prodhimit të vajit të palmës.
Një dërgesë me një duzinë kontejnerësh të ngarkuar me këtë miell është kapur në Pontevedra.
Policia beson se organizata kishte për qëllim të krijonte disa laboratorë klandestinë për nxjerrjen e kokainës nga produktet ligjore dhe ta shndërronte atë në hidroklorur kokaine, drogë e cila shitet tek konsumatorët.
Grupi kishte lidhje të forta ndërkombëtare dhe kishin dërguar disa herë në Spanjë ekspertë kolumbianë me misionin për të monitoruar strukturën e krijuar dhe negocimin e normave dhe përfitimeve nga shpërndarja e drogës.
Shtëpia ku trafikantët e drogës e kishte instaluar laboratorin nuk kishte shtëpi të tjera përreth, sipas policisë për të shmangur ngritjen e dyshimeve në mesin e fqinjëve. Anëtarët e organizatës kanë mbajtur brenda gjithmonë një anëtar të grupit, ndërsa një tjetër e furnizonte me ushqim rregullisht.
Hetuesit besojnë se organizata po përgatiste pjesë të pronës për ta shfrytëzuar edhe për kultivimin e marijuanës.
Përveç 11 arrestimeve të bëra në Valencia, Madrid, Vigo, Valladolid dhe Toledo, në operacion janë konfiskuar 8,500 litra kimikate me kokainë, gjashtë automjete, armë dhe para.