Drejtoresha e institutit të virologjisë në Wuhan, qyteti ku koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar, thotë se qendra e saj ka tre lloje të gjalla koronavirusi nga lakuriqët e natës, por asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me atë që shkakton Covid-19.
Në një intervistë me median shtetërore CGTN, Wang Yanyi hodhi poshtë zërat se virusi që tashmë ka pushtuar të gjithë botën, e ka origjinën nga instituti që ajo drejton.
“Ky është një trillim i pastër,” tha ajo. “Instituti ynë në fillim mori një mostër klinike të një pneumonie të panjohur më 30 dhjetor. Pasi kontrolluam patogjenin brenda kampionit, zbuluam se ai përmbante një koronavirus të ri. Ne nuk kishim ndonjë njohuri para kësaj dhe nuk kemi bërë hulumtime apo kërkime për këtë virus“, shtoi Yanyi.
Virusi më herët është raportuar se është përhapur nga një treg që shiste kafshë të egra në Wuhan, por presidenti amerikan Donald Trump dyshon që Kina mund të jetë përpjekur të mbulojë një përhapje aksidentale nga një laborator të virusit vdekjeprurës.