Lady Gaga foli për detajet traumatike të abuzimit në adoleshencë teksa ajo përpiqej të krijonte një karrierë në industrinë e muzikës, duke përfshirë edhe sulmin seksual, si pasojë e të cilit ngeli shtatzënë.
Gaga u shfaq në episodin e parë të “The Me You Can’t See” një seri dokumentaresh në Apple TV+, krijuar nga Oprah Winfrey dhe princi Harry, që eksplorojnë shëndetin mendor dhe mirëqenien sociale me histori nga njerëz nëpër botë. “Përmes rrëfimit, ky seri dokumentarësh u jep zë historive që synojnë të kërkojnë të vërtetën, mirëkuptimin dhe dhembshurinë”, shkruhet në trailerin e “The Me You Can’t See” në YouTube.
Gaga foli për një producent që i kërkoi të hiqte rrobat kur po përpiqej të krijonte karrierë në industrinë e muzikës, asokohe vetëm 19 vjeçe.
“Isha 19 vjeç dhe po punoja, dhe një producent më tha: “Hiqi rrobat”. Dhe unë thashë “jo”. U largova, dhe ata më thanë se do të digjnin të gjithë karrierën time. Dhe ata nuk u ndalën. Unë thjesht ngriva dhe … as që më kujtohet”, deklaroi Gaga.
Ndër të tjera, Lady Gaga u shpreh se dhimbja kronike me të cilën ajo kishte jetuar gjatë gjithë moshës së pjekurisë ishte e njëjtë me atë që përjetoi pasi u sulmua seksualisht, duke zbuluar se nuk e kishte kuptuar me të vërtetë dhimbjen derisa u shtrua në spital vite më vonë.
“Dhe pastaj kuptova se ishte e njëjta dhimbje që ndjeva kur personi që më përdhunoi më la shtatzënë në një cep në shtëpinë e prindërve të mi sepse kisha vjellë dhe isha sëmurë.”
“Unë isha abuzuar. U mbylla në një studio të largët për muaj të tërë”, shtoi ajo mes emocioneve të forta.
Lady Gaga shpërtheu në lot teksa tha që nuk e thotë dot emrin e personit që e sulmoi seksualisht. “Unë e kuptoj lëvizjen Me Too, e kuptoj që disa njerëz ndihen vërtet mirë me këtë, por unë jo“, tha ajo.
“Unë nuk dua kurrë të përballem me atë person përsëri”.
Lady Gaga tha se jeton me fibromialgji të gjendjes së dhimbjes kronike për vite me radhë, madje është detyruar edhe të anulojë shfaqjet për shkak të sëmundjes.
“Kam bërë shumë kontrolle dhe skanera dhe nuk gjejnë asgjë, por trupi yt mban mend.”
Gaga zbuloi se ajo filloi të dëmtonte veten që në moshë të re dhe kishte përjetuar mendime vetëvrasëse. Ajo tha se procesi i shërimit mendor kishte qenë i ngadaltë, me ndikime të vazhdueshme që ende e preknin dhe i kthenin dëshirën për të lënduar veten.
Këngëtarja theksoi se iu deshën vite për të mësuar se si të trajtonte shëndetin e saj mendor dhe të përdorte mekanizma pozitivë të përballimit të kësaj gjendjeje, duke përfshirë terapinë, ushtrimet fizike dhe muzikën.
“Të gjithë po vuajnë, unë do të doja të thoja që është e rëndësishme që të rrethoheni nga të paktën një person që ju vlerëson.”