Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar në lidhje me skandalin e pasaktësive të teksteve shkollore, ku lagjja e të pasurve në periferi të Tiranës, i paraqitet fëmijëve në librin e historisë së klasës së katër si modeli i fshatit shqiptar.
Kushi ka deklaruar se do të bëhet një rishikim i teksteve shkollore.
“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar. Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor.”- tha ministrja në një takim me drejtuesit e rrjeteve profesionale.
Sjellim ndërmend se në librin e Historisë, realiteti i fshatrave shqiptarë përshkruhej në fakt krejtësisht jashtë çdo realiteti të periferive të vendit. Vilat e ‘Rolling Hills’ që kushtojnë qindra mijëra euro paraqiten në tekst, ku thuhet se jeta në fshat është e bukur e jetohet mirë.
“Pothuaj të gjithë shtëpitë e fshatit janë bërë të reja. Rruga automobilistike të çon drejt e në qendër të fshatit. Me rrugë të aslfaltuara, ai lidhet jo vetëm me qytetin, por edhe me fshatrat të tjera.“- thuhet në përshkrimin e tekstit të Historisë së klasës së katërt.