Policia e Tiranës njofton se lajmi i publikuar në media për identifikimin e autorëve të vrasjes së Briken Sanajt te ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë, është i pavërtetë.
“Në lidhje me një lajm të publikuar, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, dhe se janë identifikuar autorët e saj, sqarojmë opinionin publik se: Lajmi i publikuar nuk është i vërtetë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht punën hetimore dhe policore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si ndodhi ngjarja?
Një person, i cili ndodhej në sediljen e pasme të mjetit tip “Benz”, qëlloi me kallashnikov në drejtim të Sanajt rreth orës 23:00 të datës 30 tetor.
Ky i fundit humbi jetën nga plagët e marra, teksa po transportohej për në spitalin e Traumës nga miqtë e tij. Makina e autorëve u gjet disa minuta pas ngjarjes në Qafë Kashar, së bashku me armën e krimit.
Automjeti që u përdor në krim, kishte targa të vjedhura. Dyshohet se kanë qenë të paktën 2 persona që kanë marrë pjesë në atentat.