Aktualitet Lajme jo të mira nga transporti ajror: Italia ende e bllokuar, nis...

Lajme jo të mira nga transporti ajror: Italia ende e bllokuar, nis linja me këto shtete

Italia mbetet pengesa kryesore për lëvizjen e lirë në këto kohë, por lajmet që vijnë nga transporti ajror janë se situata do të vijojë të mbetet ende e mjegullt edhe për gjatë muajit qershor. Rekomandohet që qytetarët të mos bëjnë lëvizje që nuk janë të domosdoshme. Ministrja e Transportit, Belinda Balluku tha se me shtetin fqinjë do të vijohet me riatdhesime, deri në një qartësim të situatës.

“Italia, si volum trafiku zë 70%  të lëvizjes. Është një nga daljet më të rëndësishme. Por hapja me vendin fqinj është një çështje që nuk varet nga ne, por me sa kam kuptuar nuk varet as nga Italia. Vendimmarrja i përket Bashkimit Europian. Pas datës 26 qershor do të ketë një vendim për Italinë dhe Spanjën si dy vendet më shumë të prekura nga pandemia.  Janë dy shtete që nuk do të hapen njëkohësisht. Ndaj me Italinë do të vijojmë procesin e riatdhesimit, që unë mendoj që është një proces që ka funksionuar”, tha Ballaku

Ministrja vijon më tej kur thotë se normaliteti në tregun ajror nuk do të rikthehet të paktën për 10 muaj. Nga të gjitha studimet e bëra nga Eurocontrol por edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare, normaliteti në këtë sektor do të nisë nga muaji mars 2021. Por, qeveria shqiptare po nis hapjen graduale me shtetet rast pas rasti.

“Nga 15 qershori nis linja me Austrinë, gjithashtu edhe kompanitë që operojnë me shtetin turk do të rinisin punën. Ne kemi marrë një kërkesë zyrtare nga ministri i Turizmit të Turqisë, i cili kërkon hapjen e kufijve. Gjithashtu deri në datën 15 qershor do të kemi zgjidhur të njëjtin status edhe me Gjermaninë, konkretisht me destinacionin e Frankfurtit, pasi është një destinacion i cili ka shumë interes.”

Deklaratat ministrja i bëri gjatë një interviste me gazetaren Rajmonda Lajthia për emisonin E-zonë, në Vizion Plus.