Opinione Lajmësi nuk ka faj…

Lajmësi nuk ka faj…

Nga Lutfi Dervishi

Një gazetar i bëri një pyetje shumë të vështirë ish sekretarit amerikan të Mbrojtjes, të ndjerit Donald Rumsfeld!

Rumsfeld i hodhi një vështrim zhbirues gazetarit. Heshti disa sekonda. Buzëqeshi “tinëzisht”. Heshti sërish dhe u përgjigj: Pyetje tjetër?

Le të mendojmë një çast nëse do të ndiqej në Shtëpinë e Bardhë, modeli që po krijohet në Shqipëri ku për pyetjet e sikletshme që i drejtohen ministrave përgjigjet kryeministri!

Me këtë standard, duhet të ndërhynte Presidenti Bush dhe t’i thoshte gazetarit, që të kalonte në riedukim tre muaj?!

As në skenarin e Portokallisë nuk imagjinohet qe aktori që kaq bukur luante kryeministrin t’i thoshte gazetarit: tre muaj riedukim!

Ne fakt sa “ndëshkon” gazetarët me tre muaj riedukim – kryeministri bën mirë të trajnojë ministrat dhe zyrtarët e tij të lartë si t’i përgjigjen pyetjeve të vështira sepse Ai nuk mund të ndodhet kudo ku gazetarët bëjnë pyetje. Për shembull nëse ish drejtori i përgjithshëm i policisë bashkë me prokurorin në ngjarjen tragjike të Elbasanit katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit kaluar, do të ishin trainuar nuk kishin pse të gënjenin publikisht, por mund të thonin: “nuk komentojmë çështje në hetim”! Kështu edhe ish drejtori nuk do të jepte me vonë “dorëheqjen” dhe shumë gjëra mund të ishin më ndryshe!

Por të “kthehemi te “riedukimi”, fjalë që nuk e ka më as fjalori gjuhës shqipe!

(Në revolucionin kulturor kinez, riedukimi=kangfu xunglian! Gjatë kangfu xunglian shkrimtarët e gazetarët dërgoheshin në kooperativa për të plehëruar arat me kova të mbushura me fekale).Nëse gazetari riedukohet – nuk ka me gazetari! Në një vend ku është vrarë gazetaria, por kanë mbetur gjallë disa gazetarë kurajoz kjo do të ishte goditje fatale!

Liria e medias është e sanksionuar në kushtetutë! Madje edhe po të shkosh te kanuni i Lek Dukagjinit: “fjala nuk bën mort”! Liria e medias është dhe liria e gazetarit për të gabuar!

Zyrtarët, aq më tepër zyrtarët e lartë, kanë më pak të drejta se qytetarët e zakonshëm për privatësi!

Zyrtarët, aq më tepër zyrtarët e lartë, e kanë detyrim t’u përgjigjen pyetjeve sfiduese të gazetarëve qofshin këto edhe me tone sarkastike!

Zyrtarët, aq më tepër zyrtarët e lartë, nuk duhet t’i shmangen pyetjeve sfiduese të gazetarëve!

Një gazetar, thotë Milan Kundera, nuk është ai që bën pyetje, por ai që ka të drejtën e shenjtë për të kërkuar një përgjigje! Dhe rasti i fundit i gazetarit Klevin Muka është rasti tipik i pyetjes që meriton përgjigje! Është pyetje me interes publik dhe jo pyetje interesante për publikun siç e paraqiti kryeministri!

Nuk është vetëm mungesa e trainimit që po nxjerr keq ministrat para gazetarëve!

Paaftësia për të dhënë përgjigje dhe duhet ndihma kryeministrit për të qetësuar situatën  vjen edhe për tri arsye të tjera:

1- Nga “gazetare” që lexojnë pyetjet e dhëna nga ai/ajo që përgjigjet ose “gazetarë” që bëjnë pyetje të tipit: “çfarë mund të na thoni për vizitën tuaj shumë të suksesshme…”

2- Nga mungesa e solidaritetit mes gazetarëve! Nëse çdo reporter tjetër i pranishëm do të përsëriste pyetjen që nuk mori përgjigje, asnjë zyrtar, qoftë ky edhe kryeministri nuk do të guxonte të bullizonte më gazetarët! Nëse gazetarët do të bojkotojnë konferencën e shtypit, çdokush do të përgatitej më mirë para se të përballej me pyetjet e gazetarëve!

3- Nga mungesa e kontaktit me gazetarë për shkak të rrjeteve sociale, ku më shumë se informacion rrjedh propagandë!

Lajmësi nuk ka faj, thuhet në kanun! Dhe nëse faji nuk kërkohet te lajmësi, për riedukim në vend të gazetarit duhet të shkojnë ministrat!

235 vjet më parë Xheferson preferonte “më mirë gazetat pa qeveri sesa një qeveri pa gazeta!”

Një qeveri pa gazetarë, që bëjnë pyetje sfiduese, rrezikon seriozisht të lërë pa punë Portokallinë!

Detyra e medias është të bëjë atë që bëri vajza e vogël te përralla e Andersenit: ti thotë publikut se mbreti është lakuriq-! Nëse qeveria mendon se është detyrë e medias t’i veshë rrobat mbretit atëherë “është më keq se krim, është gabim”.