Kryesore “Lajmësi nuk ka faj”, Rama rreshtohet me gazetarët dhe shigjeton prokurorët: S’kanë...

“Lajmësi nuk ka faj”, Rama rreshtohet me gazetarët dhe shigjeton prokurorët: S’kanë pse e ruajnë sekretin hetimor

Kryeministri Edi Rama është treguar kritik këtë të martë sa i takon zbatimit të legjislacionit mbi transparencën në vend.

Duke marrë shembuj konkretë, ai u doli ‘në krah’ gazetarëve kur vjen puna te nxjerrja e dokumenteve të caktuara zyrtare.

Duke u ndalur te rasti i gazetari Elton Qyno, apo dhe disa raste të tjera në kohën e pandemisë së COVID-it, Rama theksoi se nëse një ‘sekret’ i tillë iu bie në dorë gazetarëve, duhen hetuar ata që ua dhanë këto informacione, duke shigjetuar kështu prokurorët.

“Trajtimi i informacionit që i takon publikut, medias, të gjithë të interesuarve si e drejtë e sanksionuar me ligj, ndërkohë që trajtohet si pushtet i ushtruar abuzivisht mbi ta, është padiskutim një hapësirë për të krijuar mister, thashetheme, helm mbi faktet dhe për t’i dhënë mundësi pastaj lloj-lloj spekulimeve. E drejta e informimit nuk është sekret hetimor!  Solidarizohem me Avokaten e Popullit për një rast të një gazetari që u akuzua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë pandemisë kur prokuroria iu vu mbrapa ca gazetarëve. Për mua, ata nuk nxjerrin sekrete hetimore, se nuk i disponojnë. I disponojnë prokurorët. Kur gazetarëve u bie në dorë sekreti, s’është detyrim i tij ta ruajë. Nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë. Është elementare, sepse që në kanun shkruhet se lajmësi nuk ka faj, kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha lajmin, është burimi me të cilin duhet të merresh.”

Bazuar në të gjitha problemet që ekzistojnë në këtë aspekt, Rama paralajmëroi krijimin e një Bordi Kombëtar.

“Është koha të krijojmë një Bord Kombëtar ose komitet, por këtë fjalën komitet e kam pak problem se kam parë shumë komitete dhe kam marrë pjesë në ca syresh dhe më janë dukur se janë krijuar për të mos zgjidhur probleme. Nuk ka vetëdije për dhënien e informacionit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve. Kjo hap shtretër të tërë lumenjsh për llumin e dezinformimit. Kjo shkel një të drejtë që është e publikut dhe çdo individi.”

“Dhënia e informacionit s’duhet të diskutohet, duhet thjesht dhe vetëm të zbatohet”, përfundoi Rama.