Amer Kapetanovic*
Kam hasur në lajme të rreme që lidhen me koronavirusin që në fazën e hershme të shpërthimit të pandemisë në tokën europiane.
Mesazhi në anglisht që dyshohet se qarkulloi nga epiqendra europiane e pandemisë, Italia Veriore mbërriti tek unë përmes një grupi miqsh dhe familjarësh në Viber. Ky informacion i rremë ishte përshtatur posaçërisht për të nxitur frikën dhe panikun:
“Ajo që po shihni e lexoni në raportet mediatike nga Italia në këto ditë, po bëhet për të mbuluar të vërtetën e madhe. Dhe kjo e vërtetë e madhe është se koronavirusi nuk po vret të vjetrit, por në radhë të parë po vret fëmijët. Kam parë të rinj në prag të vdekjes, të shtrirë në dyshemetë e korridoreve të spitalit mes dhimbjes dhe agonisë. Prandaj, mos i besoni askujt, mos dilni jashtë pavarësisht se sa vjeç jeni dhe ju lutem këtë mesazh shpërndajeni”.
Pavarësisht njoftimeve zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetit, me statistika të aprovuara, përqindje, deklarata të mjekëve dhe të ekspertëve, ky informacion tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve që njoh, madje shumica e tyre e besuan dhe për rrjedhojë u frikësuan për vdekje.
Përveç sëmundshmërisë evidente dhe vdekjes, kjo pandemi e Covid-19 ka përhapur edhe një frikë të jashtëzakonshme; ‘nga vrasësi i panjohur dhe i padukshëm’, ku për pasojë pengoi njerëzit për të përballuar frikën me logjikë, panikun me durim dhe pasigurinë me edukim. Në rrethana të tilla, teori konspirative e komploti lundrojnë përreth, pa baza, pa kontrolle të fakteve, pa bazë shkencore. Për shembull u tha: ‘Chloroquine është një kurë e provuar’, ose ‘Fëmijët janë imunë ndaj Covid-19′, ose ‘Rrjeti 5G shkaktoi pandeminë’. Këto informacione përmbajnë mesazhe dhe këshilla të pavlefshme, të gabuara apo dhe të dëmshme, të cilat pengojnë reagimin e shëndetit publik dhe shtojnë çrregullimin social dhe polarizimin e situatës.
Edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj lajmeve të rreme.
Narrativa të tilla si: ‘Virusi ndoshta u zhvillua në një laborator në Wuhan për të targetuar Kinën apo Iranin’ dhe shumë të tjera, u përhapën në mediat tradicionale dhe sociale në gjithë rajonin. Një mori informacionesh të rreme dhe dashakeqe që ndotën sferën publike në atë masë sa për herë të parë në historinë njerëzore, OBSH shpalli Infodeminë, duke paralajmëruar se përhapja e lajmeve të rreme është pothuajse po aq e rrezikshme sa përhapja e virusit.
Një lajm i rremë mbërrin tek njerëzit gjashtë herë më shpejt se një lajm i vërtetë. Sidomos në kohë krizash kur ka tendencë në rritje të popullatës për t’u besuar thashethemeve edhe më shumë sesa një informacioni zyrtar, si pasojë e një reagimi emocional ndaj frikës.
Më pas këto informacione shpërndahen më tej, shumica bëhen pa qëllim të keq, thjesht sepse ata që i shpërndajnë nuk janë të mire-informuar aq sa duhet dhe nuk bëjnë verifikime. Informacioni pa verifikim mund të shkaktojë probleme serioze në gjithë shoqërinë. Kur lajmet e rreme përsëriten dhe intensifikohen, rreziku i vërtetë është se informacionit aktual, që bazohet tek fakte dhe e vërteta i kufizohet ndikimi tek shoqëria.
Çfarë mund të bëhet për t’u siguruar që informacioni i vërtetë dhe i dobishëm, që shpëton edhe jetë, të avancojë kundër lajmeve të rreme?
Pas skandalit të Cambridge Analytics/ Facebook që lidhet me gjetjet e referendumit të Brexit, Bashkimi Europian miratoi një ligj për të mbrojtur zgjedhjet nga keqpërdorimi i të dhënave. Ndoshta e kujtoni rastin nga viti i kaluar, ku gjatë fushatës për zgjedhjet në BE, u zbuluan 500 faqe të dyshuara në Facebook, mes tyre faqe të ngritura nga grupe brenda rajonit që shpërndanin lajme të rreme ose duke përdorur teknika manipuluese për të promovuar ekstremin e djathtë dhe grupet anti-BE. Parlamenti Europian dënoi Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut për fushata dezinformimi në Europë.
Bazuar në përvojën e BE-së, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal po punon në krijimin e një platforme brenda Ballkanit Perëndimor për të luftuar lajmet e rreme.
Për shembull; Finlanda po e lufton këtë duke edukuar nxënësit e shkollave fillore, duke u mësuar atyre metoda të leximit dhe selektimit të lajmeve përmes mediave. Kjo ka qenë në axhendën e sistemit arsimor të Finlandës që nga viti 2014 kur vendi ishte në shënjestër të lajmeve të rreme nga Rusia. Prandaj nuk është për t’u habitur që Finlanda zë vendin e parë në indeksin e shkrim-leximit në media, me 78 pikë, krahasuar me Britaninë 60, Francën 59 dhe Italianë 51.
Sondazhi nga Gallup tregon se në disa ekonomi të Ballkanit Perëndimor njerëzit kryesisht besojnë se rreziku i virusit korona është i ekzagjeruar, në disa raste me një diferencë shumë të lartë, mbi 70% e të anketuarve. Siç mund të pritej lehtësisht nga francezët, holandezët, austriakët, italianët etj, këto vende ndajnë qëndrim të kundërt- Me mbi 70%, një shumicë që nuk mendon se është ekzagjerim. Ndër të tjera, niveli i ulët i leximit në media, duket se po luan një rol vendimtar.
Prandaj ne duhet të krijojmë dhe të gjejmë mekanizmat e duhur rajonalë dhe të zhvillojmë metoda të qëndrueshme për të mbështetur median dhe publikun e Ballkanit Perëndimor, për të bërë dallimin ndërmjet asaj që vërtetohet, informacionet e publikuara nga mediat e besueshme dhe ato që janë e shpërndahen nga ato false, siç janë dezinformatat në rrjetet sociale.
Siç është vërtetuar tashmë në kohën e koronës, qytetarët e arsimuar dhe të informuar siç duhet, të cilët ruajnë distancimin social dhe sillen me përgjegjësi, mbeten një faktor kryesor në trajtimin e pandemive.
Lufta ndaj infodemisë kërkon të njëjtën vigjilencë dhe përgjegjësi- Nëse mediat dhe qytetarët janë në gjendje të dallojnë dhe t’u përmbahen informacioneve të rreme, si dhe t’i lënë të zhduken në koshin e riciklimit, patjetër që do ndalohet ndotja e një game të gjerë të narrativave të paligjshme.
Unë jam veçanërisht i lumtur që shoh përpjekje të ndërmarra tashmë nga platformat e rrjeteve të OJQ-ve në Ballkanin Perëndimor2 që synojnë nxitjen e kontrollit të fakteve dhe zbulimin e lajmeve dhe narracioneve të rreme. Ky është padyshim një hap i mirë në drejtimin e duhur, megjithatë larg qasjes së mjaftueshme dhe gjithëpërfshirëse të qeverisë dhe tërë shoqërisë në trajtimin e këtij fenomeni të dëmshëm. Ne duhet të bëjmë më shumë në të gjitha sferat e jetës.
Pandemia e koronavirusit mund të na mësojë shumë gjëra të reja para se ajo të mbarojë; Në lidhje me shkencën, marrëdhëniet ndërnjerëzore, nevojën për të bashkëpunuar, ekonominë, si të ndajmë njohuritë, sigurinë, higjienën, empatinë dhe shumë më tepër, por një gjë është e qartë: Vetëm përmes veprimit të përbashkët, të koordinuar dhe me përgjegjësi, rezultati do të jetë i dukshëm. Për këtë arsye Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është plotësisht i disponueshëm për nisma të mëtejshme që lidhen me parandalimin dhe luftën ndaj lajmeve të rreme e narracioneve të paligjshme.
*Amer Kapetanoviç, diplomat, analist politik dhe gazetar, u bashkua me RCC në vitin 2017 pas 19 viteve karrierë në pozicione të ndryshme në diplomacinë e Bosnje-Hercegovinës. Ai është autor dhe bashkautor i dy librave dhe i shumë analizave dhe artikujve të botuar në mediat vendase dhe të huaja.