Një lajm i çuditshëm po qarkullon së fundmi dhe lidh sulmuesin Rey Manaj me klubin e Barcelonës.
I blerë nga Interi për shumën e 1.7 milionë eurove, lushnjari i Albacete nuk është se ka spikatur në Segunda Division për të bërë një hap kaq të madh.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka patur shumë probleme te Albacete gjatë muajve të fundit, sidomos me trajnerin Ramis, i cili për shkak të sjelljes së lojtarit e ka dërguar edhe në tribunë në ndeshje të caktuara
Sigurisht, nëse bëhet fjalë për një tratativë reale, me siguri Manaj do të angazhohej me ekipin e dytë të Barcelonës. Sulmuesi thuhet se ka një klauzolë largimi për shifrën e 5 milionë eurove. Sigurisht që nuk do të paguhej një shifër e tillë nga asnjë klub.
Manaj këtë sezon ka luajtur vetëm katër ndeshje si titullar, nga nëntë që ka zbritur në fushë në total në kampionat. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka shënuar vetëm dy gola. Albacete normalisht që do ta shiste, nëse do të merrte një ofertë të kënaqshme.