Katastrofën tonë të përditshme falna sot? Jo faleminderit! Në fillim të vitit Astrid Prange de Oliveira flet për lajmet e mira, të cilat na duhen urgjentisht. Kurrë nuk kanë qenë ato kaq të vlefshme sa sot.
Nga Astrid Prange de Oliveira – DW
Kurrë më parë nuk duket të kenë qenë ato më me bollëk sa sot: lajmet e këqia. Po të mos ishin me tepri, duhet t’i shpiknin. Luftëra, sëmundje, kriza urie, katastrofa natyrore – a do t’ia dilte dot mbanë njerëzimi pa lajme të këqia?
Është problem me katastrofën e përditshme. Ajo tregon sa e brishtë është bota, në të cilën jetojmë. Sa i ndjeshëm është çdo njeri dhe njerëzimi në përgjithësi. Dhe sa të rëndësishme janë dhembsuria njerëzore dhe solidariteti. Sepse njerëzit nuk mund të shkaktojnë vetëm katastrofa, ata edhe mund t’i shmangin, t’i vënë nën kontroll dhe t’i kapërcejnë ato.
Paqja – e lehtë për t’u harruar
Në tetor 2018 për shembull, Presidenti i Etiopisë Abiy Ahmed dhe Presidenti i Eritresë Isaias Afwerki nënshkruan pas 30 vjetësh luftë një marrëveshje paqeje. Një marrëveshje historike, e cila i dha fund gjakderdhjes prej dekadash dhe që tani ka sjellë atmosferë euforike.
Edhe në gadishullin korean ka nisur një pajtim i kujdesshëm. Në vitin 2018 ka pasur tre takime të nivelit të lartë midis Koresë së Veriut dhe të Jugut. Nga zona e përbashkët e sigurisë Panmunjom do të tërhiqen të gjithë ushtarët dhe armët. Dhe këtë vit, pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të udhëtojë për herë të parë në Korenë e Jugut.
Të brishta dhe këmbëngulëse
Këto lajme të mira janë lule të brishta, që kanë nevojë për kujdes dhe për vëmendje. Në epokën e Fake News, të shitstormeve dhe të tiradave të urrejtjes ato rrezikojnë të humbasin në ortekun e katastrofave të përditshme.
Kështu, në përgjithësi mbeti thuajse pa vëmendje kaosi i Brexitit, gjithashtu që Greqia pas tetë vitesh u largua në 2018-ën nga ombrella shpëtuese e Bashkimit Evropian – vendi i tretë që e bën këtë pas Irlandës dhe Portugalisë. Edhe miliona vetët, që dolën në rrugë në Hungari, Poloni dhe Rumani për më shumë demokraci dhe kundër korrupsionit, do të kishin merituar vëmendje më të madhe. Në vend të kësaj, në të gjitha kanalet u transmetua zhgënjimi nga demokracia dhe populizmi i djathtë në rritje.
“Do t’ia dalim mbanë”
Por lajmet e mira janë këmbëngulëse. Ato e ndryshojnë botën në plan afatgjatë. Ato nuk zhduken në humbëtirën digjitale si tweet-et e Presidentit të SHBA, Donald Trump, të Alexander Gauland ose të Presidentit të ri të Brazilit Jair Bolsonaro.
Shembulli i energjive të ripërtëritshme: pavarësisht nëse SHBA do ta braktisin tani marrëveshjen për mbrojtjen e klimës ose jo – pjesa e energjive të ripërtëritshme në prodhimin e përbotshëm të energjisë rritet vazhdimisht. Në bazë të agjencisë ndërkombëtare të energjisë (IEA) pjesa e energjisë ekologjike në prodhimin e përbotshëm të energjisë është 25 përqind, në Gjermani është madje 38 përqind.
Edhe integrimi i refugjatëve ka ecur përpara, megjithëse e ashtuquajtura krizë e refugjatëve këtu sillet për ditë në kujtesë. Presidenti i Punëdhënësve, Ingo Kramer tha pak kohë më parë se rezultoi që me fjalinë e saj “Do t’ia dalim mbanë” kancelarja Merkel pati të drejtë. Prej rreth 1 milionë vetëve, që erdhën në vitin 2015 në Gjermani, më shumë se 400.000 kanë ndërkohë një marrëveshje kualifikimi ose pune, tha Kramer.
Këto tregime suksesesh tregojnë, se njerëzit i përballojnë krizat, mposhtin sëmundjet, dorëzojnë armët, mbrojnë jetën, pakësojnë varfërinë, krijojnë mirëqënie dhe janë në gjendje të mbrojnë ambientin. Ata janë një triumf i arsyes njerëzore dhe i dhembsurisë mbi tiradat e urrejtjes dhe teoritë e komplotit.
Për shumicën një vit i mirë
Edhe nëse tingëllon e çuditshme përballë luftërave të shumta dhe konflikteve: viti 2018 ishte një vit i mirë për shumicën e popullit. Një vështrim në statistikat e Bankës Botërore dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se varfëria në të gjithë botën është në ulje, gjithmonë e më shumë ekonomi shtëpiake (rreth 90%) kanë qasje në energji, sëmundjet si tuberkulozi dhe malarja kanë rënë në mënyrë drastike, njësoj si vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve.
Këto përparime nuk janë krijuar me tweet-e të dërguara natën ose me demonstrata të të vetëquajturve mbrojtës të Oksidentit, por përmes iniciativave të pafundme të njerëzve, që u besojnë ndryshimeve dhe që kontribuojnë që t’i vënë ato në jetë hap pas hapi.
Dhe ato tregojnë: kurrë nuk kanë qenë më të vlefshme se sot lajmet e mira. Sepse pa to ne humbasim besimin në një botë më të mirë dhe në këtë mënyrë edhe motivimin që të angazhohemi për të drejtat e njeriut dhe për paqen.
Lajmet e mira mbijetojnë përballë katastrofave të vogla dhe të mëdha, të cilat enden për ditë në rrjetet digjitale dhe në kanalet televizive. Lajmi i mirë për ndërrimin e viteve është: edhe 2019-ën kjo nuk do të ndryshojë. Happy New Year!