Kishte mbrojtur për 46 mijë vjet njerëzit që ishin afruar aty për të shpëtuar nga kafshët e gra, ose thjesht për t’u mbrojtur nga i ftohti. Por një shpellë që mbante dëshmitë më të hershme të pranisë së njeriut u shkatërrua nga papërgjegjësia dhe lakmia për përfitim të një kompanie minerare.
Ngjarja ka ndodhur në Australi, në zonën e largët dhe të izoluar të Pilbarës, në perëndim të vendit. Një zonë e izoluar por e pasur jo vetëm me artefakte të trashëgimisë kulturore, por edhe me minerale.
Pikërisht për mineralet metalike është interesuar kompania Rio Tinto e cila, po gërmon hapësira të mëdha në atë zonë. Në një nga gërmimet u zbulua edhe hyrja e shpellës, ku më pas arkeologët zbuluan disa nga artefaktet më të vjetra të Australisë, nga piktura në mure dhe deri në një armë e prodhuar nga kockat e kangurit, të paktën 28 mijë-vjeçare.
Por e kaluara e atij siti arkeologjik nuk ndaloi punimet në kërkim të mineraleve metalike që pasurojnë nëndheun, duke shkaktuar shembjen e shpellës dhe humbjen përgjithmonë të asaj pasurie.
Fillimisht kompania Rio Tinto u mundua të minimizonte ngjarjen, thjesht duke i hequr drejtuesve të projektit bonuset e tyre prej miliona dollarësh, por opinioni publik lokal filloi protesta masive që çuan së fundmi në dorëheqjen e drejtuesve kryesorë të kompanisë.