Situata e trashëguar në zyrën e arkivit të regjistrimit të pasurive në Durrës kalon çdo imagjinatë, pasi ka shumë mangësi. Kështu ka deklaruar kreu i Kadastrës, Artan Lame, në një deklaratë për mediat duke pasqyruar situatën Arkivin e Kadastrës së Durrësit.
Gjatë inventarizimit të kësaj kadastre, rezulton se në regjistrat e arkivit mungojnë 730 fletë, 243 faqe janë zëvendësuar dhe 569 faqe janë të dubluara. Sipas tij, rezultojnë 25 faqe të grisura edhe 1548 faqe bosh.
“Arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 regjistra të pasurive të paluajtshme janë në gjendje të mirë, të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre.
Në këto regjistra mungojnë 730 fletë. Rezultojnë 243 faqe të zëvendësuara, kanë hequr një faqe dhe e kanë zëvendësuar me faqe tjetër me atë që e kanë fantazuar. Dhe kjo tregon makutërinë dhe mungesën e frikës, faqet e tjera tregojnë shtypshkronjën, kurse ato që janë zëvendësuar jo.
Mjafton të marrësh një nga këto regjistra dhe shikon që fleta nga fleta ndryshon. Kushdo që ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në administratë, e di që regjistrat sekretohen, lidhen në mënyrë të pahapshme dhe nuk duhet të preken. Ti mund të shkruash dhe të fshish, por jo të heqësh faqe.
Rezultojnë 569 faqe të dubluara. Pra e njëjta shtëpi rezulton dy herë, shtëpia ose prona e Hasanit ekziston edhe këtu edhe në një vend tjetër si shtëpi dhe pronë e Hysenit. Kur vinte Hasani i jepnin letrat dhe kundër-letrat si Hasani, kur vinte Hyseni ia jepnin si Hyseni. Të dy këta ishin në të njëjtën shtëpi, dhe kur përplaseshin, çështja përfundonte në gjyq, apo tani që ne po i krehim përfundojnë te ne dhe duhet ta zgjidhim ne si problematikë.
Rezultojnë 25 faqe të grisura, duken si pak, por nuk janë pak. Këto faqe edhe kur i kanë grisur i kanë grisur pa kujdes. I ka mbetur vetëm rrënja e faqes që është grisur.
Janë edhe 1548 faqe bosh, brenda regjistrit. Ka faqe të shkruara faqe bosh dhe të plotësuara. Faqet bosh liheshin me qëllimin që kur të vinte hallexhiu i radhës ta fusnin me ato numra regjistri. Këto probleme janë të dukshme nga inventari që iu bë. Janë qepur e shqepur regjistrat”.
Lame thekson se problematika më e madhe është në zonën bregdetare, ndërsa bëri të ditur se është hartuar një raport me 600 faqe që do t’i dorëzohet dy institucioneve, ministrisë së Drejtësisë dhe kryeministrisë.
“Regjistrat e zonës bregdetare janë më problematike, zona e plazhit, Spitallës, Lalzit e Rodonit. Përgjegjësia për këtë situatë është e të gjithëve, e kujtdo që ka punuar në këto sektorë.
Mjaft më me këtë histori dhe këtë situatë. Mos e thoni se ku janë zyrat e Kadastrës, qytetari duhet të aplikojë dhe të presë shërbimin në e-albania. Arkivi sot është i inventarizur. Raporti është 600 faqe dhe ka të dhëna çfarë mungon dhe çfarë nuk mungon dhe askush nuk mund të vërë dorë pa lënë gjurmë. Ka sistem kamerash dhe sistem të mbrojtjes. Ky material do t’i përcillet edhe ministrisë së Drejtësisë dhe zyrës së kryeministrisë. Vetë drejtoria është gjendur nën sikletet e bërjes së kësaj pune, sikurse edhe unë nga ata që nuk e donin të bëhej këtë gjë”.
Ai u bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të bëjnë hetimet e mëtejshme, teksa theksoi që ky sektor po shkon drejt digjitalizimit me qëllim shmangien e kësaj problematike.
“Duke e lënë minimalisht në dy institucione të tjera, po ua them të gjithëve që vazhdojnë të bëjnë këto gjëra, mos na bini më në qafë, sepse ky material është i shpërndarë edhe në zyra të tjera po patët fuqi të shkoni te Rama t’i thoni na ndërro ca fletë tek ai raporti i Lames, le të shkojnë, përndryshe është e kotë të na ndërhyjnë sepse nuk ndërhyhet më në këtë situatë për të bërë numra. Dhe tjetra për t’u dhënë mundësi institucioneve ligjzbatuese, bujrum ky është raporti ynë për të bërë hetime të mëtejshme. Mijëra pasuri që identifikohen me probleme do vendoset bllokimi dhe pa pastruar dokumentacionin e tyre, nuk veprohet mbi to. Kemi përzgjedhur Tiranën, Durrësin dhe Lushnjën si projekt-pilot për digjitalizimin e arkivit. Me digjitalizimin nuk bëhet asnjë ndërhyrje se lë gjurmë”.