Genoveva Ruiz Calavera, gruaja në krye të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (OMN) të Reformës në Drejtësi, në largim nga kjo detyrë për shkak të emërimit në një tjetër në Bruksel, ka përcjellë mesazhe të forta në lidhje me ata që e kanë sulmuar jo pak në Tiranë, zëra politikë, por më së shumti mediatikë, nga kampi i opozitës.
Sipas saj, të gjitha kishin si shënjestër ta zhbënin Reformën në Drejtësi
“Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale.
Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm.
Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar”, shprehet diplomatja e njohur e Brukselit.
Për spanjollen e angazhuar deri me Shqipërinë, duhen goditur ata që vijojnë ta pengojnë reformën.
“Pengesat për Reformën në Drejtësi duhet të identifikohen dhe të trajtohen me shpejtësi, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e pavarura të drejtësisë, që duhet të marrin burime të mjaftueshme dhe mbështetjen e nevojshme administrative për ta kryer në mënyrë efektive mandatin e tyre.
Kjo listë e gjërave që duhen bërë, natyrisht që nuk është shteruese. Sidoqoftë, ajo tregon se na pret shumë punë përpara dhe se mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe autoritetet e tjera të Shqipërisë bie një përgjegjësi e veçantë për të mos humbur kohë”, arsyeton Calavera.