Aktorit dhe regjisorit të njohur Rikard Ljarja iu dha sot lamtumira e fundit. Trupi i pajetë i artistit do të prehet në vendlindjen e tij, Shkodrën.
Në një ceremoni modeste për shkak të masave shtrënguese nga koronavirusi, Rikard Ljarjes ju bënë nderimet e fundit nga më të dashurit e zemrës.
Bashkëshortja e tij, aktorja e njohur Marjeta Ljarja pati një falenderim të veçantë për të gjithë të pranishmit.
“Faleminderit të gjithëve, nuk jemi pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë se është shumë shpirtërore. Mesazhet pa fund janë ato që kanë dalluar pjesën njerëzore të Rikardit, jo vetëm atë të ekranit. Faleminderit me shpirt që e thyet këtë vështirësi dhe jeni këtu me ne sot. Është shumë më e bukur dhe më njerëzore kaq thjesht. Faleminderit të gjithëve”.
Aktori dhe regjisori i njohur Rikard Ljarja mbylli sytë mbrëmjen e të hënës në moshën 77-vjeçare. Ljarja ndërroi jetë në banesën e tij në Tiranë, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rendë.
Rikard Ljarja ka luajtur shumë role, por më i spikaturi është ai i Dedës tek filmi “Rrugë të Bardha”.