Shuhet Shqiptari i Shquar i Amerikës i Përndershmi At’ Arthur Liolini, kleriku dhe kancelari i shquar i Kishës Shqiptare e Shën Gjergjit, -alias- Kisha e Fan Nolit, Boston -një nga emrat dhe figurat më të shquara të Diasporës shqiptare, atdhetarizmit e patriotizmit, kleriku që mbajti gjallë traditën shpirtërore, hyjonre, njerëzore dhe mikpritëse Noliane.
Iku në amshim i Përndershmin At’Arthur Liolini, student i fundit i Poliadrikut dhe Eruditit, Fan S.Noli.
Gjatë këtyre dhjetra viteve në Amerikë, jam takuar shpesh, me At’Arthur Liolinin, kemi ndarë gëzime, hidhërime, pagëzime, kemi përjetuar nderimin e largimin nga jeta të një sere figurash të shquara te çështjes kombëtare, letrave shqipe, por edhe ne aktivitete të ndryshme me taban kombëtar e historik. Origjina e At’Arthur Liolin është shqiptare, i lindur dhe i rritur në Amerikë. Me At’ Arthur Liolinin më lidhte edhe origjina e të parëve të tij, që janë me origjinë nga Boboshtica e Korçës, nga është edhe origjina e fëmijëve të mi, por edhe lidhje gjaku në distancë.
I Përndershmi At’ Arthur Liolini, ishte një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik, vecmas gjatë shërbesave kishtare me atë veshjen karakteristike të kishës, mbështjellë nga një mantel i verdhë rrezëllues, me zërin e butë, të ngrohtë e të përzemërt që të mrekullonte me shqipen e kulluar dhe me kulturë që fliste, megjithëse është brezi i tretë i lindur dhe rritur në Amerikë. Përgjatë gjithë jetës së tij, At’Arthur Liolini me forcën e kujtesës, e vizionit, e mendjes dhe të penës shkroi një sere materialesh studimore, shkencore, hyjnore dhe historike, dhe nëpërmjet aktiviteteve në dedikim të vlerave kombëtare e historike, sikurse kishte bërë pararendësi i tij, Noli i Madh. Ndër materialet studimore, shkencore, historike dhe të shenjtërisë, At Arthur Liolin vlerësohet dhe çmohet për ruajtjen dhe katalogimin e Arkivës Noliane dhe vendosjen dhe ruajtjen e afreskut te Shën Angjelinës Shqiptare në Kishën e Nolit në Boston, e vetmja femër e shenjtëruar mes 40 shenjtorëve meshkuj. Mbase do e kem të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj kontributin e shquar të At’Arthur Liolinit, që na ka falur kohë nga koha e tij, duke i bashkërenduar kujtesen, ngjarjet dhe vitet, dhe ka nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet e Kishës së Nolit, e cila bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje. Karizma, aureola dhe trashëgimia e Kishës Noliane ndjehen ende sot në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, mbare kombin e trojet shqiptare, fale përkushtimit dhe kontributit te At’Arthur Liolinit.
Kleriku dhe kancelari i Shquar i Kishës së Nolit, besonte në parimin bazë e jetësor se vepra dhe kontributi i Nolit flasin shumë, si një domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme, ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën ngadhënjyese me njerëzoren, drejt atij vizioni që predikonte Noli i madh, në ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës, identitetin shqiptar. Moment emocionues dhe mbresëlënës ishte dita dhe momenti kur unë e intervistova At’ Arthur Liolinin, ishte ndjesia më e fuqishme e krenarisë kombëtare në tokën e mundësisë e demokracisë amerikane, aty në Kishën e Nolit të Madh, dhe kjo është një arsye e forte dhe shpirtërore që e përkujtoj sot në ditën e ikjes së tij në Amshim…
Fotot dhe intervistën me At’Arthur i ruaj si gjënë më të bukur e të shtrenjtë të përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar, për të treguar se jemi një komb me botë, shpirt e mendim të lirë, ecim, jetojmë, tregojmë me penë, me kocke intelektuale, me mendje te shëndoshe e krahë të fortë. Ndërsa do te kthejmë kokën në perëndimin e viteve do te dallojmë gjurmët e arta të kujtesës së veprës e kontributit studimor, shkencor historic dhe hyjnor te te Përndershmit At’Arthur Liolini dhe te kombit shqiptar ne Amerike qe ai e donte dhe e respektonte me ndjenje qytetarie e njerëzore te admirueshme. Janë gjurmë që gjithmonë do të kujtohen si shprehi e ndodhisë në etapa të ndryshme dhe e ekzistencës së tyre, për t’u përqendruar në erudicionin e një prej figurave që është çmuar shumë prej shqiptarëve dhe amerikanëve, si një figurë hyjnore dhe njerëzore dhe e Rilindjes Kombëtare në Amerikë. Një obligim sa shpirtëror e qytetar, sa intelektual e atdhetar ne brezi i tashëm në Amerikë, i detyrohemi figurës se te Përndershmi At’Arthur Liolinin.
Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolinin,
Lamtumirë miku im i vyer, miku i gjithe shqiptareve ne Amerike, Diaspore dhe kudo ne trojet shqiptare
Të Ikurit si Ti mbeten Jetësisht të ardhur!
Ti do tè mbetesh përherë kleriku i devotshëm dhe kancelari i shquar i Kishes Shqiptare e Shën Gjergjit, një pasardhës i denjë i Nolit të madh.
Ti do të mbetesh përherë në Panteonin e Artë të kujtesës kombëtare e historike!
Prehu i qetë mes engjëjve të Parajsës!
Nderime, Respekt dhe Mirënjohje
Raimonda Moisiu
Author/Freelancer
Florida SHBA