Bota “Lamtumirë” koronavirusit në Çeki! Mijëra vetë në tryezën 500 metra të gjatë

“Lamtumirë” koronavirusit në Çeki! Mijëra vetë në tryezën 500 metra të gjatë

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi këtë javë se pandemia nuk është pranë fundit, por kjo nuk i pengoi çekët të organizojnë një festë për t’i dhënë lamtumirën simbolike koronavirusit.

Mijëra të ftuar u ulën në një tryezë 500 metra të gjatë në urën “Charles” të Pragës, duke ndarë ushqime e pije që i kishin marrë nga shtëpia. Pjesëmarrësit u inkurajuan të ndajnë gjërat me fqinjët, ndërsa distanca sociale nuk u kërkua. Republika Çeke, me një popullsi prej 10 milionë banorësh ka regjistruar më pak se 12 mijë infektime e rreth 350 jetë të humbura nga Covid-19.

“Na pëlqen shumë. Na pëlqen atmosfera. Menduam se do të ishte rrëmujë, por jo, është shumë bukur. Erdhëm këtu për të mbështetur qytetin, për t’u argëtuar e për t’i bërë pak reklamë Pragës”, shprehet një banorë e Pragës.

Organizatorët thanë se festimet ishin mundësuar për shkak të mungesës së turistëve në qytetin e famshëm.

“Duam të festojmë fundin e krizës së koronavirusit, të tregojmë se nuk kemi më frikë”, tha Ondrej Kobza, organizator.

Pjesëmarrja në festë ishte me rezervim e vendet në tryezën gjigante u rezervuan të gjitha. Republika Çeke veproi me shpejtësi për frenimin e pandemisë dhe arriti të shmangë skenarët katastrofikë të shënuara në shtete të tjera të BE.

Javën e kaluar qeveria lejoi grumbullimet publike deri në 1 mijë persona; pishinat, muzetë dhe kopshtet zoologjike mund te rihapen pa kufizime në numrin e vizitorëve. Restorantet, baret dhe klubet e natës janë lejuar t’u shërbejnë qytetarëve në ambiente të mbyllura prej një muaji.