Takimi me Shkrimtarin Prof. Dr. Nasho Jorgaqi ka ndodhur krejt rastësisht në rininë time të hershme, “një bashkëbisedim intim” veçmas nëpërmjet prozës së tij, romane e tregime, marrëdhënie polimorfike kjo, që merr këndvështrime të ndryshme duke kombinuar veçmas njerëzoren e të paimagjinueshmen, të cilën e hasim mes të bukurës, trishtimit e dashurisë, në realitetin e së përditshmes. Në vitet në vazhdim, do të njiheshim edhe fizikisht, ai pedagogu im dhe unë studentja e tij, por unë vazhdoja ta ruaja me delikatesë e fanatizëm, atë “bashkëbisedimin tim intim”, të cilin e përmenda më lart, në udhëtimin e tij krijues shumë dimensional, mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes.
Veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, deri te Kryevepra, me të cilën ai arriti kulmin në fushën e letërsisë dokumentare, – me veprën – “Jeta e Fan S. Nolit”.
Akademik Prof. Dr.Nasho Jorgaqi konsiderohet sot për sot, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Veprat e tij kanë një transformim krejt të natyrshëm e të motivuar ideo- artistikisht nën aureolën e integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Me stilin e tij të veçantë, eksperimentues dhe të paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, gjithmonë në kërkim të identitetit krijues unik, jashtëzakonisht identifikues për vizionin e letërsisë së shkruar, kreativ dhe erudit, e kanë bërë tejet interesante; jetën, krijimtarinë letrare dhe studimore të shkrimtarit dhe studiuesit, prof .Nasho Jorgaqi. Ai është mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes, ku veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, duke e radhitur kështu në elitën e autorëve më të njohur dhe më të dashur për lexuesin modern. Sot për sot veprat dhe krijimtarinë e tij shumë dimensionale, e dallojnë atë si zotërues i ndjeshmërisë, diturisë, dhe inteligjencës, që ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë integritetin profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Ai është shkrimtari që i përket disa epokave, asaj të historisë moderne shqiptare, dhe të letërsisë së realizmit socialist, si dhe të letërsisë postkomuniste e cila ka sjellur vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht.
Shkrimtari, prozatori dhe studiuesi, Prof. Nasho Jorgaqi lindi në Ballsh të Mallakastrës. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe, pranë Institutit të lartë Pedagogjik, Tiranë. Pas novelës “Dashuria e Mimozës” (1960) botoi novelat “Ëndrra dhe plagë” (1963), “Balada e nënës” (1994), vëllimet me tregime “Manastiri i dashurisë” (1995), “Shpirti i magjepsur” (2000) etj. si dhe romanin në dy vëllime “Mërgata e qyqeve” (1978-79). Në letërsinë dokumentare shquhet si biograf me veprat “Qemal Stafa” (1970), “Atentatori i perandorit” (1980) dhe si autor udhë përshkrimesh: “Larg dhe afër” (1978), “Udhëtim me Fan Nolin” (1995), etj. Vend të veçantë në letërsinë biografike zë vepra me dy vëllime “Jeta e Fan S. Nolit” (2005). Në fushën e studimeve letrare është marrë veçanërisht me probleme të letërsisë shqiptare midis dy luftërave dhe atë arbëreshe, duke u përqëndruar në autorë si F. Noli, F. Konica, etj. Në këtë fushë ka botuar librat “Silueta letrare” (1976), “Antologjia e mendimit estetik shqiptar, 1504-1944” (1979), “Poetika e dokumentit” (1987), “Estetika e fjalës shqipe” (1996), “Profile dhe probleme letrare” (2008), etj. është autor dhe i disa veprave të konceptuara si udhëtime letrare në kërkim të figurave si N. Frashëri, De Rada, Serembe, F. Noli, etj. (“Udhëve të mërgimit”, “Udhëtime letrare”, etj. Skenarist i disa filmave artistikë dhe dokumentarë, shkrimtar për fëmijë, përkthyes, autor aforizmash. Është nderuar me urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës I-ë. Veprat e tij janë përkthyer në gjuhë të huaj. Prof. Nasho Jorgaqi vazhdon të shkruajë, duke botuar e ribotuar veprat e tij, madhore, letrare, artistike dhe historike. Në këtë intervistë, Mjeshtëri i rrëfimit dhe studimit, Prof. Nasho Jorgaqi në udhëtimin e tij krijues arriti të jetë një nga autorët më të shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe e ballkanike, por edhe në atë unike europiane.
Trashëgimi e tij intelektuale, letraro-artistike, dokumentare, studiuese, prozator. poet lirik dhe kulturore janë mbresëlënëse dhe drita që la pas për ne – Akademik Prof.Dr.Nasho Jorgaqi!
Prehu në PAQE, i nderuar profesor dhe shkrimtar i shquar i dheut tim!
Të qoftë dheu i lehtë, mik i shtrenjtë! I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!
Ngushëllime Familjes dhe letrave shqipe!
Raimonda Moisiu, Author/Freelancer Florida SHBA