Joan Laporta nuk është dorëzuar për Pep Guardiolën. Ajo që për shumë duket si një ëndërr e parealizueshme, për Presidentin e Barcelonës është një mundësi që ai do ta shfrytëzojë.
Edhe pse gjasat janë të mëdha që të dështojë, e keq madje! Por numri 1 i klubit blaugrana ka vendosur që të luftojë deri në fund.
Sipas mediave spanjolle, ditën e dielë ai personalisht do të kontaktojë me trajnerin e Manchester City për t’i propozuar që të rikthehet te Barça.
Laporta e di se tani për tani 50-vjeçari është totalisht i përqendruar te finalja e Ligës së Kampioneve kundër Chelsea që do të luhet të shtunën.
Ai ka besim se do ta bindë teknikun që të kthehet. Por ideja është që kthimi të mos ndodhë në këtë verë, por ai të jetë në stol për sezonin 2022-2023.
Kjo është arsyeja se përse ai në takimin me trajnerin aktual Ronald Koeman i kërkoi 15 ditë kohë. Nëse Pep i thotë “po”, atëherë holandezi do të qëndrojë edhe për një vit te katalanasit e do të largohet në përfundim të kontratës.
Në këtë mënyrë, kursehen edhe 8 milionë Euro, që do t’i jepeshin Koemanit për prishjen e kontratës.
Guardiola ka thënë në të shkuarën se kurrë nuk do të kthehej si trajner te Barça. Ai rinovoi deri në 2023 me City, me opsionin e një viti shtesë, pra deri në 2024.