Në ceremoninë e prezantimit të sulmuesit holandez Memphis Depay, presidenti i Barcelonës Joan Laporta ka përfituar nga rasti për të folur për merkaton e klubit katalan dhe mbi të gjitha për rinovimin e federimin e Lionel Messit, që është shndërruar në një problem.
Numri një i “blaugrana”-ve deklaroi se me Messin ka tashmë një akord dhe se shumë shpejt do të vijë zyrtarizimi, teksa u shpreh optimist se dhe la Liga do ta ndihmojë për të përballuar situatën e vështirë këtë verë.
“Futbollisti ka thënë gjithmonë se dëshiron të qëndrojë dhe për këtë nuk ka dyshime. Megjithatë duhet të respektojmë disa rregulla dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të ulur nivelin e pagave apo për të aplikuar disa formula të pranueshme nga La Liga. Presidenti Tebas është shumë i disponueshëm për të na ndihmuar, pasi ai i pari është i interesuar që lojtarë të kalibrit të Messit të mbetet ende në La Liga”, u shpreh Laporta.
Umtiti dhe Pjanic
Sa u përket largimeve, mbrojtësi Samuel Umtiti dhe mesfushori Miralem Pjaniç janë në krye të listës së atyre që do të lënë Barcelonën këtë verë, teksa këtë e konfirmon edhe drejtori sportiv i katalanëve, Mateu Alemany.
“Umtiti dhe Pjanic janë lojtarë të mëdhenj, me karrierë për t’u admiruar, por sezonin e fundit nuk kanë gjetur shumë minuta dhe e dinë mirë pozicionin e tyre. Me shumë respekt për ta, po negociojmë me menaxherët e tyre për të gjetur zgjidhjen më të mirë, pasi Umtiti e Pjanic janë të parët që duan qartësi për situatën dhe një klub ku të luajnë rregullisht”, u shpreh Alemany.
Antoinne Griezmann
Duket mjaft i vështirë për momentin largimi i sulmuesit francez Antoinne Griezmann, megjithatë drejtori sportiv i Barcelonës pranon se futbollisti është në merkato dhe me një ofertë të mirë, gjërat mund të ndryshojnë.
“Antoinne është një futbollist i Barcelonës, kemi një kontratë bashkë dhe ne besojmë te ai. Është normale të ketë shumë zëra merkatoje për të pasi bëhet fjalë për një futbollist cilësor. Kemi konsideratë maksimale te Griezmann, por nëse gjërat në merkato lëvizin, mund të pranojmë ofertat e duhura, pasi jemi në vështirësi financiare dhe duhet të bëjmë llogaritë me një bilanc të rënduar tashmë”, tha drejtuesi katalan.