E nënta në Kupën e Botës. Një rezultat i jashtëzakonshëm dhe që nuk ishte arritur asnjëherë nga Shqipëria në sportin e skive.
Protagoniste absolute ishte Lara Colturi, kampionia që përfaqëson ngjyrat kuqezi. Në pistën e Flachau në Austri, 17-vjeçarja theu të gjitha parashikimet dhe regjistroi një pozicionim historik, duke u futur për herë të parë në “Top 10” të botës.
Colturi u nis me numrin 60 në fillim të garës, por prej zbritjes së parë tregoi se do të rivalizonte me skiatoret më të mira. Ajo u pozicionua e 26-ta, por më e bukura do të vinte në zbritjen e dytë.
Me një paraqitje mbresëlënëse, aty Lara rikuperoi sekonda të vlefshme, duke lënë pas edhe kampione të kalibrit si Shiffrin, që në fund ishte fituese.
Me vendin e nëntë në Kupën e Botës, kampionia e skive konsolidon pozitat e saj në “Top 30” të klasifikimit të përgjithshëm botëror në disiplinën e sllallomit.
“Jam shumë e lumtur për këtë garë. Më në fund arritja të bëj atë që kam dhënë në stërvitje. Në zbritjen e parë u nisa e 60 në radhë pista ishte jo në gjendje të mirë, por u kualifikova në të dytën ku dhamë maksimumin dhe realizova atë kohë”.
Ndalesa e radhës për Lara Colturi do të jetë fundjavën e ardhshme në Jasna të Sllovakisë. Ajo merr pjesë në garat e Kupës së Botës prej nëntorit të 2022.