Bota Larg shqiptarëve/ Zbulohet posti i rëndësishëm që Trump mund t’i japë Richard...

Larg shqiptarëve/ Zbulohet posti i rëndësishëm që Trump mund t’i japë Richard Grenell

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, po shqyrton emërimin e Richard Grenell, ish-drejtorit të inteligjencës nën administratën e tij, si i dërguar i posaçëm për konfliktin Rusi-Ukrainë, sipas disa burimeve të afërta, raportuar nga agjencia Reuters.

Aktualisht nuk ekziston një pozitë specifike në administratën amerikane për ndërmjetësimin në luftën Ukrainë-Rusi, por Trump po konsideron krijimin e një roli të tillë, bazuar në informacionet e burimeve të brendshme.

Më parë, Grenell ka sugjeruar krijimin e “zonave autonome” si një zgjidhje për konfliktin dhe ka shprehur qëndrime skeptike për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në të ardhmen e afërt.

Zëdhënësja e periudhës së tranzicionit, Karoline Leavitt, nuk e ka konfirmuar emërimin e Grenellit, duke theksuar se vendimet e tilla do të njoftohen drejtpërdrejt nga Trump. Deri më tani, Trump ka bërë publike disa nominime për administratën e tij të ardhshme, duke përfshirë Marco Rubio si kandidat për Sekretar të Shtetit. Disa prej këtyre nominimeve do të kërkojnë miratim nga Senati, i cili në legjislaturën e re do të udhëhiqet nga republikanët.

Grenell ka një karrierë të gjatë diplomatike, duke përfshirë detyrat si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu ka shërbyer si Drejtor i Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, nga 2017 deri në 2021. Nëse emërohet, Grenell pritet të luajë një rol kyç në përpjekjet e administratës Trump për të ndërmjetësuar dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.