2017-a ishte një vit i suksesshëm për Kombëtaren Shqiptare, por edhe me ndryshime të mëdha. Kuqezinjtë arritën të mbyllin në vendin e 3-të fushatën eliminatore të Botërorit “Rusi 2018”, duke u rreshtuar menjëherë pas Spanjës dhe Italisë.
Këtë vit përfundoi edhe epoka 6-vjeçare e Xhani De Biazit në krye të Shqipërisë, që kulmoi me pjesëmarrjen në Euro 2016, ndërsa falënderimi më i mirë i futbollistëve ndaj italianit, ishte fitorja bindëse në Izrael.
Një tjetër italian, Kristian Panuçi mori vendin e De Biasit, me synimin për të kualifikuar skuadrën në Euro 2020, ndërsa nuk munguan edhe risitë, me 5 futbollistë të grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë.
Momenti më i mirë
Fitorja në Izrael. Në ndeshjen e fundit të Xhani De Biazit, si trajner i Shqipërisë, Kombëtarja arriti të fitojë me rezultatin e pastër 0-3 në Izrael.
Kuqezinjtë ‘morën hak’ për humbjen me të njëjtin rezultat në ‘Elbasan Arena’, por njëkohësisht hodhën një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të 3-të në grup. Dopieta e Armando Sadikut në pjesën e parë dhe goli i Memushajt në të dytën, vulosën një nga fitoret më të bukura të kuqezinjve.
Momenti më i keq
Humbja me Luksemburgun. Vetëm pak ditë para sfidës në Izrael, Shqipëria dhuroi një nga paraqitjet më të dobëta të periudhës De Biasi, duke u mposhtur 2-1 nga modestët e Luksemburgut. Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Odise Roshit në fillim të pjesës së dytë, por më pas lëshuan lojën dhe pësuan 2 gola, duke dalë kokë-ulur nga ai takim, ndonëse miqësor.
Xhani De Biazi largohet pas 6 vitesh
Në mes të vitit 2017 u mbyll edhe aventura thuajse 6-vjeçare e trajnerit Xhani De Biazi në krye të Shqipërisë. Trajneri italian, i cili është pajisur edhe më pasaportë Shqiptare, zyrtarizoi dorëheqjen në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e FSHF-së Armand Duka, pak ditë pas fitores 0-3 me Izraelin, duke e argumentuar këtë vendim tijin me pamundësinë për t’i motivuar lojtarët pas pjesëmarrjes në finalet e Euro 2017. De Biazi, mes lotësh, u shpreh se ishte më mirë që trajneri i cili do të udhëhiqte Shqipërinë në kualifikuesit e Euro 2020 të niste sa më parë punën pikërisht në funksion të fushatës së ardhshme eliminatore. Me De Biazin trajner Shqipëria ka zhvilluar në total 52 ndeshje, ndër të cilat 19 janë fitore, 22 humbje dhe 11 të të tjera përfunduan në barazim, me golaverazh të përgjithshëm 58 / 54.
Kristian Panuçi emërohet trajner i Shqipërisë
Arritjet me Xhani De Biazin e shtynë presidentin e FSHF-së Armand Duka, t’i besonte sërish një trajneri italian. Mes Clarens Seedorf, Luigi De Canios dhe Kristian Panuçit, kreu i FSHF-së zgjodhi pikërisht këtë të fundit, pra ish-mbrojtësin italian, që si eksperiencë të vetme në rang kombëtaresh kishte të qenit ndihmës i Fabio Capellos te përfaqësuesja e Rusisë. Panuçi u zyrtarizua si pasardhës i De Biasit me 19 korrik, me objektiv kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2020. Në pamundësi për të zhvilluar qoftë një ndeshje miqësore prova e parë e Panuçit ishte fitorja 2-0 me Lihtenshteinin. Më pas erdhën barazimi 1-1 me Maqedoninë dhe humbjet 3-0 me Spanjën dhe 0-1 me Italinë. Sfida e “Loro Boriçit” me ‘të kaltrit’ ishte pengu i Panuçit për këtë vit, pasi kuqezinjtë luajtën shumë mirë dhe meritonin të paktën një pikë me 4 herë kampionët e Botës. Gjithsesi, Panuçi i rriti kredencialet në miqësoren me Turqinë, ku hodhi në fushë një formacion sulmues dhe fitoi 2-3, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës luajti me një lojtar më pak në fushë.
Ceremonia e lamtumirës e Lorik Canës
Ndonëse u tërhoq menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Europian, kapiteni legjendar i Shqipërisë, dha lamtumirën zyrtare futbollit të luajtur, më 09 tetorin e këtij viti, në përballjen me Italinë në “Loro Boriçi”. Nën një atmosferë fantastike të krijuar në shkallët e stadiumit, Cana zbriti në fushën e blertë, së bashku me djalin e tij dhe u përshëndet për herë të fundit me tifozët, që kishin thërritur kaq shumë emrin e tij në kor. Lorik Cana iu bashkua kombëtares shqiptare në qershorin e 2003-shit, kur skuadra drejtohej nga gjermani Hans Peter Brigel, ndërsa luajti për më tepër se 13 vite, për ta mbyllur me plotësimin e ëndrrës së tij dhe gjithë shqiptarëve, pjesëmarrjen në Kampionatin Europian ‘Francë 2016’. Cana luajti 93 takime me Kombëtaren shqiptare, ndërsa që nga viti 2011 mbajti edhe shiritin e kapitenit.