Trupat amerikanë mund të përfundojnë brenda pak ditësh tërheqjen e tyre nga Afganistani, dy muaj përpara afatit të vendosur nga presidenti Joe Biden, 11 shtatori i këtij viti.
Por edhe pse SHBA praktikisht i ka dhënë fund luftës së saj më të gjatë, zyrtarë ushtarakë paralajmërojnë se vendi aziatik mund të përfshihet shumë shpejt nga një luftë civile.
CNN mësoi përmes burimeve të administratës se deri në 650 trupa do të qëndronin në Afganistan për të ndihmuar në ruajtjen e ambasadës në Kabul, dhe objekteve të tjera të sigurisë së lartë, si aeroporti.
Por largimi i SHBA nga Afganistani shihet si hapja e rrugës për marrjen e pushtetit nga talebanët dhe rikthimin e kaosit në vend. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se nuk ka ende një konfirmim për tërheqjen totale të NATO-s nga Afganistani, por komandanti i misionit ndërkombëtar, Gjenerali Austin S. Miller, tha se rreziku i një lufte civile mbetet i lartë.
“Është sigurisht një skenar që mund të imagjinohet, nëse gjërat vijojnë kështu siç po shkojnë”, tha ai për gazetarët. “Kjo duhet të shqetësojë të gjithë botën”.
Paralajmërimi i Miller përputhet me raportimet e mëparshme të agjencive të inteligjencës në SHBA, sipas të cilave, qeveria e Kabulit mund të bjerë brenda gjashtë muajsh nga largimi i amerikanëve.
Biden nuk dëshiron mision që kalon disa breza
Në Afganistan u shtrua edhe pyetja, mos NATO duhej të mbronte për kohë të pakufizuar atë që ishte arritur në këtë vend. Amerikanët iu përgjigjen me “jo” kësaj pyetjeje, me pasojë edhe tërheqjen e trupave të tjera të huaja nga Afganistani. Jo vetëm presidenti, Donald Trump donte t’i jepte fund “luftës së përhershme“, edhe pasardhësi i tij, Joe Biden tha në Kongres, se ky mision nuk ishte menduar kurrë si një “mision që do kalonte nëpër breza“. Dy presidentë të ndryshëm në mënyrë pragmatike kanë bërë një gjë të qartë: Qëllimi ushtarak luftimi i terrorit është arritur, pjesa tjetër nuk na intereson më.
Fund i ëndrrës për eksportimin e demokracisë
Ideja e eksportimit të demokracisë dështoi, jo vetëm në Afganistan, por në tërësi. Sot Afganistani, megjithë një qeveri të mbështetur nga perëndimi, me influencë gjithnjë e më shumë në zvogëlim, konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara të botës. Dhe duket se shumë shpejt talebanët do të kthehen në pushtet, të paktën si pjesë e qeverisë së ardhshme, por me shumë gjasa me pushtet të plotë dhe me dhunë. Gati 20 vite “nation building” – formësim i një identiteti kombëtar nga disa vende të fuqishme të botës shkuan më kot.